Skip to content
Kryesore

Urdhri i Ramës/ Ergys Verdho jep dorëheqjen pas daljes nga SPAK, emri i tij në hetimet për tenderat e Ballukut

· 2 min lexim

Drejtori i Hekurudhave Shqiptare, Ergys Verdho, ka konfirmuar dorëheqjen nga detyra menjëherë pas daljes nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në një kohë kur emri i tij është përfshirë në hetimet që lidhen me prokurimet publike gjatë drejtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nga Belinda Balluku.

Largimi i Verdhës vjen pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama që drejtuesit e institucioneve të paraqesin dorëheqjet e tyre.

“Kam dhënë dorëheqje nga detyra. Në SPAK isha për histori të vjetra”, deklaroi Verdho për mediat teksa largohej nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Kjo nuk është hera e parë që Verdho paraqitet në SPAK. Ai është parë në ambientet e institucionit gjatë muajve maj dhe qershor, ndërsa paraqitja e tij më e fundit, përpara asaj të sotme, ishte më 8 tetor.

Emri i tij është përfshirë në hetimet e SPAK që lidhen me procedurat e prokurimeve publike dhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë periudhës kur institucioni drejtohej nga Belinda Balluku.

Megjithatë, ende nuk është bërë publike arsyeja konkrete e paraqitjes së tij të fundit në SPAK dhe as statusi i tij procedural në këto hetime.

Dorëheqja e Verdhës shënon një nga largimet e para të konfirmuara pas kërkesës së Ramës për dorëheqjet e drejtuesve të institucioneve, ndërsa përkon me zhvillimet e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për prokurimet publike në sektorin e infrastrukturës.