Skip to content
Kryesore

Qeveria hap “Dëmi im” për protestat, po ku të aplikojnë shqiptarët për miliardat e aferave?

· 5 min lexim

141 ditë protestë, pesë ditë përshkallëzim, përplasje në rrugë, studentë që denoncojnë dhunë policore dhe një kërkesë të vetme: dorëheqjen e Edi Ramës. Por ndërsa vendi përjeton një krizë të rëndë politike dhe shoqërore, qeveria ka gjetur kohën të hapë në e-Albania rubrikën “Dëmi im”.

Përmes saj, bizneset e dëmtuara gjatë protestave mund të regjistrojnë dëmet materiale dhe të kërkojnë ndihmë. Një mekanizëm që, në parim, u shërben qytetarëve dhe sipërmarrjeve që kanë pësuar humbje.

Por emri i rubrikës ngre një pyetje shumë më të madhe: Po shqiptarët, ku duhet të aplikojnë për dëmet që u janë shkaktuar financave publike ndër vite?

Sepse nëse qeveria kërkon të dokumentojë çdo xham të thyer, çdo derë të dëmtuar dhe çdo faturë të protestave, atëherë i njëjti standard transparence duhet të vlejë edhe për miliardat e shpenzuara nga buxheti i shtetit.

Dhe këtu lista është shumë më e gjatë se pesë ditë protestash.

Nga inceneratorët te koncesionet: Kush e paguan faturën?

Nëse rubrika “Dëmi im” do të ishte e hapur edhe për taksapaguesit shqiptarë, aplikimet mund të nisnin me inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, një prej skandaleve më të mëdha të kontratave publike, që ka prodhuar hetime penale dhe akuza për abuzime me fondet e shtetit.

Më pas do të vinte dosja 5D, tenderat e AKSHI-t, koncesioni i sterilizimit, check-up-i, laboratorët spitalorë, Unaza e Madhe, Rruga e Arbrit, tuneli i Llogarasë dhe aeroporti i Vlorës.

Por lista nuk mbaron këtu.

Në të do të përfshiheshin edhe çështjet e portit të Durrësit, hekurudhës Tiranë–Durrës–Rinas, fondet IPARD, projektet Smart City, koncesionet dhe kontratat PPP, shpenzimet për konsulenca, fondet e propagandës qeveritare, kompania e falimentuar Air Albania, çështja Becchetti dhe arbitrazhet e tjera ndërkombëtare.

Pastaj janë çështjet e Bankers Petroleum, projektet Tigri 1 dhe Tigri 3, investimet e KAYO-s dhe Timak Defence, si dhe shpenzimet e diskutueshme për aktivitete e koncerte, përfshirë projektin e përmendur për Kanye West.

Dhe, për ta bërë aplikimin edhe më të plotë, mund të shtoheshin koncesioni i skanimit në dogana, koncesioni i dializës, kontrata e mirëmbajtjes së rrugës Milot–Morinë, projekti rrugor Orikum–Dukat, kontratat PPP për infrastrukturën arsimore në Tiranë dhe koncesioni Milot–Balldren, me një vlerë të kontraktuar prej rreth 364.7 milionë eurosh.

Vetëm për 12 kontrata koncesionare, gjatë periudhës 2017–2025, buxheti i shtetit ka paguar rreth 98 miliardë lekë, ose afërsisht 1 miliard euro. Rreth 440 milionë euro nga kjo shumë lidhen me kontrata që janë bërë objekt hetimesh penale.

Dhe këto janë vetëm disa prej çështjeve që kanë rënduar mbi financat publike, kanë përfunduar në dyert e drejtësisë ose kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi përdorimin e parave të shqiptarëve.

Për xhamat e thyer, 10 grupe Tatimesh. Po për miliardat?

Për të verifikuar dëmet e bizneseve nga protestat, qeveria ka parashikuar angazhimin e 10 grupeve të administratës tatimore. Do të kontrollohen faturat, do të verifikohen dëmet dhe do të përllogariten kostot.

Po për faturën e qeverisjes së Edi Ramës, kush do të dalë në terren?

Për një xham të thyer kërkohet faturë, fotografi dhe verifikim. Për miliona euro të përfshira në afera dhe kontrata nën hetim, shqiptarët presin prej vitesh përgjegjësi dhe kthimin e parave.

Nëse për pesë ditë protestash duhen 10 grupe Tatimesh, sa grupe të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe sa hetues të SPAK-ut duhen për të zbardhur faturën e gjithë këtyre viteve?

Dhe mbi të gjitha, kush do t’ua kthejë shqiptarëve paratë?

141 ditë protestë, ndërsa Rama nuk lëshon karrigen

Ndërkohë, vendi ndodhet në ditën e 141-të të protestës. Prej pesë ditësh situata është përshkallëzuar, protestat nuk janë më paqësore, ndërsa përplasjet, zjarret dhe dhuna kanë përfshirë kryeqytetin.

Kërkesa e protestuesve është dorëheqja e Edi Ramës. Por kryeministri nuk pranon të largohet, ndërsa studentë dhe qytetarë denoncojnë dhunë brutale, arrestime dhe përdorim të tepruar të forcës nga policia.

Një polici që paguhet nga taksat e shqiptarëve për t’i mbrojtur, jo për t’i terrorizuar kur kërkojnë llogari nga pushteti.

Në vend të përgjegjësisë politike për krizën, qytetarët përballen me forcën policore, ndërsa qeveria nxiton të numërojë dëmet materiale të protestave.

Sa kushtojnë pesë ditë protesta? Qeveria kërkon ta dijë me saktësi. Sa u kanë kushtuar shqiptarëve aferat e 13 viteve të qeverisjes së Ramës? Kjo është fatura për të cilën ende kërkohet llogari.

Bizneset e dëmtuara duhet të kompensohen. Por edhe taksapaguesit shqiptarë kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi për çdo lek të shpërdoruar nga buxheti i shtetit.

Prandaj, nëse qeveria dëshiron vërtet të hapë një rubrikë me emrin “Dëmi im”, le ta hapë për të gjithë shqiptarët.

Sepse Shqipëria nuk filloi të shkatërrohej ditën kur shpërthyen protestat. Dhe dëmi që i është shkaktuar këtij vendi nuk matet vetëm me xhamat e thyer, por edhe me paratë publike të humbura, drejtësinë e munguar dhe vitet që qytetarëve nuk ua kthen më askush.