Protestat po shkatërrojnë vendin, Rama për Reuters: NUK E JAP DORËHEQJEN

Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, pavarësisht protestave të studentëve që kanë përshkallëzuar tensionet në vend dhe janë shoqëruar me përplasje, dhunë dhe dëmtime të pronës publike në Tiranë.
Në një përgjigje për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, Rama ka deklaruar se qeveria nuk mund të ndryshohet përmes dhunës, por vetëm nëpërmjet zgjedhjeve demokratike. Ai ka mbrojtur mandatin e tij qeverisës, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për dialog me studentët dhe trajtimin e kërkesave të tyre.
“Ne respektojmë studentët e Shqipërisë dhe të drejtën e tyre themelore për të protestuar, për të sfiduar qeverinë e tyre dhe për të kërkuar arsim më të mirë, më shumë mundësi dhe llogaridhënie. Zëri i tyre është dëgjuar edhe në të kaluarën dhe do të dëgjohet gjithmonë. Jemi të gatshëm të angazhohemi dhe këtë e kemi thënë shumë qartë.
Korrupsioni duhet të luftohet dhe, siç e rikonfirmoi së fundmi edhe vetë Bashkimi Europian, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë. Për herë të parë në historinë e saj, dhe falë Reformës së thellë në Drejtësi që unë drejtova dhe çova përpara, Shqipëria po sheh njerëz të fuqishëm të japin llogari përpara një gjyqësori të pavarur.
Por ekziston një dallim i qartë mes protestës paqësore dhe dhunës, mes studentëve dhe banditëve. Dhe ne kemi dy fakte shumë të qarta përpara nesh. Së pari, shumica dërrmuese e studentëve nuk është në rrugë. Së dyti, dhuna nuk është e organizuar nga studentët. Sulmet ndaj institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe rrezikimi i sigurisë publike nuk kanë asnjë lidhje me kërkesat legjitime të studentëve.
Ndoshta dikush, apo disa forca brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të shkëlqejë si një nga vendet pararojë drejt Bashkimit Europian, por unë nuk do të lejoj që dhuna të devijojë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Po ashtu, nuk do të lejoj që zërat legjitimë të studentëve tanë të mbyten nga ata që zgjedhin shkatërrimin.
Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike, dhe ne i zhvilluam ato vitin e kaluar, jo përmes dhunës. Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara. E kundërta do të ishte një tradhti ndaj të gjithë shqiptarëve që më dhanë një mandat shumë të fortë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në BE”, ka thënë Rama.
Deklarata e Ramës vjen pas protestave të tensionuara në kryeqytet, ku përplasjet me policinë dhe dëmtimet e shkaktuara kanë shoqëruar kërkesat për llogaridhënie dhe dorëheqjen e qeverisë.
Pavarësisht situatës së krijuar, Rama vendos të mbajë me dhunë pushtetin, duke e lidhur vazhdimësinë e qeverisjes së tij me mandatin e marrë në zgjedhjet e vitit të kaluar dhe objektivin për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.