Për Ramën votoi shkrirjen e Selenicës, qytetarëve u premton “Prani Besnike”: Sinaj i pret në zyrë, por në Kuvend dëgjon vetëm partinë

Të enjten votoi për shkrirjen e bashkisë së tyre. Të premten i fton t’i tregojnë shqetësimet. Vullnet Sinaj duket se e ka ndarë përfaqësimin e qytetarëve në dy shërbime: në zyrë i dëgjon, në Kuvend i bindet partisë. Për këtë formulë ka edhe një emër: “Prania Besnike”. Vetëm adresën e besnikërisë duhet ta sqarojë.
Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, i cili deri të hënën kundërshtonte shkrirjen e Bashkisë Selenicë dhe bashkimin e saj me Vlorën, të enjten votoi pro. Kundërshtimi që u dha banorëve përshtypjen se interesat e tyre do të mbroheshin brenda mazhorancës, nuk i mbijetoi vendimmarrjes së grupit parlamentar socialist.
Mes dy qëndrimeve qëndron paralajmërimi i Edi Ramës për përjashtim nga partia dhe lënie jashtë listave të ardhshme elektorale. Pas tij, Sinaj e gjeti rrugën drejt disiplinës. Selenica mund të humbiste bashkinë, por deputeti nuk kishte pse të humbiste rreshtin.
Shpjegimin për këtë kthesë e dha vetë, duke e quajtur votën “një nënshtrim ndaj vendimmarrjes politike të grupit”. Një formulim që ia kursen publikut hamendësimet: deputeti nuk foli për argumente të reja që e bindën, por për nënshtrim. Pra, kundërshtimi i tij kishte një kufi dhe ai kufi ishte vullneti i partisë.
Këtu nis problemi që nuk mbulohet dot me njoftime takimesh. Nëse shkrirja e Selenicës ishte e gabuar të hënën, çfarë e bëri të drejtë të enjten? Çfarë ndryshoi për banorët? Cili shqetësim i tyre mori zgjidhje mes kundërshtimit dhe votës pro?
Përgjigjja që Sinaj ka dhënë lidhet me grupin parlamentar. Qytetarët mbeten ende në pritje të një përgjigjeje që lidhet me ta.
Ndërkohë, ftesa është gati. Sot, në orën 17:00, deputeti pret qytetarët në zyrën e tij në Vlorë, në kuadër të “Pranisë Besnike”. Ironia nuk kërkon shumë mundim: pasi mbështeti me votë vendimin që vetë e kishte kundërshtuar, tani ofron kohë për të dëgjuar shqetësimet.
Por çfarë vlere ka dëgjimi, nëse në çastin e vendimit fjala e qytetarit ndalet te dera e mbledhjes së partisë?
Sinaj mund t’i presë qytetarët dhe t’i dëgjojë gjatë. Por, kur shqetësimi i tyre bie ndesh me urdhrin e partisë, kujt i shërben mandati i tij?