Skip to content
Kryesore

“Do të vrasim shqiptarë derisa të njihni Kosovën si territor të Serbisë”/ Alarm për bomba në institucionet shtetërore, reagon AKSHI

· 2 min lexim

Një email me kërcënime për vrasjen e shqiptarëve dhe shpërthime me bomba ka mbërritur këtë të premte në disa institucione shtetërore në Shqipëri, përfshirë Shkollën e Magjistraturës.

Autori i mesazhit, i dërguar nga një adresë jashtë sistemeve zyrtare qeveritare, prezantohet si udhëheqës i një milicie serbe dhe pretendon se ka vendosur një mjet shpërthyes në ndërtesën e institucionit.

“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”, thuhet në emailin kërcënues.

Pas sinjalizimeve, Policia e Shtetit ka nisur verifikimet për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar nëse ekziston një rrezik real. Paraprakisht dyshohet se bëhet fjalë për alarme false.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka konfirmuar mbërritjen e mesazheve kërcënuese në disa adresa elektronike qeveritare.

“Rasti po verifikohet dhe hetohet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet dhe autoritetet përkatëse, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton AKSHI.

Agjencia thekson se situata po monitorohet vazhdimisht dhe se po merren masat e nevojshme. Deri tani nuk është konfirmuar prania e mjeteve shpërthyese, ndërsa identiteti dhe origjina e autorëve të kërcënimeve mbeten të panjohura.