Çmimet “hanë” të ardhurat/ 40% e buxhetit të familjeve shqiptare shkon vetëm për ushqime

Familjet shqiptare kanë shpenzuar më shumë gjatë vitit 2025, por pa arritur të blejnë më shumë mallra apo shërbime. Rritja e çmimeve ka neutralizuar pothuajse plotësisht rritjen e shpenzimeve, duke e lënë konsumin real në stanjacion.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, shpenzimet mesatare të familjeve u rritën me 2.3% krahasuar me një vit më parë. Por, pasi llogaritet efekti i rritjes së çmimeve, konsumi real rezulton të jetë rritur me vetëm 0.1%.
Kjo do të thotë se familjet po nxjerrin më shumë para nga xhepi, por në këmbim po konsumojnë thuajse të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh.
Pesha më e madhe vazhdon të jetë ajo e ushqimeve. Grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” përbën 39.8% të të gjithë buxhetit familjar, ose mesatarisht 37,859 lekë në muaj. Në vitin 2024, kjo kategori zinte 39.6% të shpenzimeve.
Brenda shpenzimeve për ushqime, peshën kryesore e mbajnë perimet me 20.2%, mishi me 16.6% dhe bulmeti me 15.5%.
Rritja e peshës së ushqimeve në buxhet tregon se një pjesë gjithnjë e më e madhe e të ardhurave po përdoret për nevojat bazë, ndërsa familjeve u mbetet më pak hapësirë për kategori të tjera.
Një prej tyre është shëndeti. Shpenzimet për barna dhe vizita mjekësore kanë shënuar rënien më të madhe në strukturën e buxhetit familjar, duke zbritur nga 3.8% në vitin 2024 në 3.4% në vitin 2025.
Të dhënat tregojnë kështu një hendek të qartë mes rritjes nominale të shpenzimeve dhe konsumit real: familjet shqiptare paguajnë më shumë, ndërsa sasia e mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë ka mbetur pothuajse e pandryshuar.