Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja/ Mbyllen hetimet, tre persona në gjyq

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, dhe ka dërguar për gjykim tre persona. Mes tyre është Elvis Shkambi, i akuzuar për tre vepra penale, xhaxhai i tij Gjon Shkambi, si dhe punonjësi i sigurisë së Gjykatës, Banush Koxhaj.
Elvis Shkambi akuzohet për “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në gjyq është dërguar edhe xhaxhai i tij për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
Sipas hetimeve, ngjarja ndodhi më 6 tetor 2025, pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari A.K. gjatë një seance gjyqësore për “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”.
Prokuroria thotë se Elvis Shkambi nxori nga brezi një pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit. Më pas, ai e drejtoi armën edhe ndaj dy personave të tjerë që tentuan të largoheshin nga salla, duke plagosur njërin në dorën e djathtë dhe duke dëmtuar tjetrin në trup.
Pas të shtënave, Elvis Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë dhe doli në oborrin e gjykatës, ku u kap në flagrancë.
Nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se Elvis Shkambi e kreu veprën në bashkëpunim me Gjon Shkambin. Mes provave të përmendura në dosje është edhe deklarimi i Elvis Shkambit se armën e kishte pasur me vete edhe në seanca të tjera gjyqësore dhe se xhaxhai i tij ishte në dijeni të këtij fakti.
Hetimet kanë evidentuar gjithashtu mënyrën se si Elvis dhe Gjon Shkambi hynë në ambientet e gjykatës. Sipas Prokurorisë, ata nuk iu nënshtruan kontrollit fizik, ndonëse njëri prej tyre mbante me vete armë zjarri.
Për këtë pjesë të ngjarjes është marrë i pandehur punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj. Sipas akuzës, ai nuk kreu kontrollin fizik të dy personave dhe nuk bëri regjistrimin e tyre në librin e hyrje-daljeve të gjykatës.
Për këto veprime, Koxhaj akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
Me përfundimin e hetimeve, dosja i kalon tashmë Gjykatës, e cila do të shqyrtojë akuzat e ngritura ndaj tre të pandehurve dhe provat e administruara nga Prokuroria gjatë hetimit.