Skip to content
Kryesore

Dokumentet nxjerrin zbuluar projektin në Zvërnec/ 1.7 milionë m² zhvillim, hotele e rezidenca deri në 8 kate në zemër të zonës së mbrojtur

· 3 min lexim

Qeveria hapi dokumentet për të dhënë versionin e saj mbi projektin e shumëdebatuar të Zvërnecit. Por dokumentet e publikuara nxjerrin vetë në pah përmasat e ndërhyrjes së planifikuar dhe ndjeshmërinë e jashtëzakonshme mjedisore të territorit ku kërkohet të zhvillohet projekti.

Në dosjen e publikuar në platformën “Pasqyra e Flamingove” rezulton se projekti “Zvërnec Peninsula” shtrihet në një territor të përfshirë në Peizazhin e Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë”, një nga zonat më të ndjeshme natyrore të bregdetit shqiptar.

Plani i parë i paraqitur nga investitori parashikonte një zhvillim masiv turistik dhe rezidencial.

Sipas dokumenteve të bëra publike, projekti përfshinte rreth 1.7 milionë metra katrorë zhvillim në rreth 266 hektarë truall. Prej tyre, rreth 771 mijë metra katrorë parashikoheshin për rezidenca, ndërsa rreth 292 mijë metra katrorë për struktura hotelerie.

Ndërtimet arrinin deri në 8 kate dhe 39 metra lartësi, krahas hapësirave rekreative dhe marinës.

Por ajo që e bën dosjen veçanërisht problematike është territori ku kërkohej të ndërtohej.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në një dokument të datës 15 maj 2026, konstaton se sipërfaqja e projektit ndodhet brenda Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë” dhe prek edhe monumentet natyrore “Laguna Limopuo” dhe “Kodrat Molasike të Zvërnecit”.

Institucionet kanë evidentuar praninë e dunave, shpendëve migratorë dhe biodiversitetit të rrallë, si edhe rrezikun potencial për ujërat dhe Lagunën e Nartës.

Pikërisht për këto arsye, varianti fillestar nuk ka marrë dritën jeshile.

Dokumentet tregojnë se autoritetet kanë kërkuar vlerësim më të thelluar të ndikimit në mjedis dhe ndryshime të projektit për shkak të përplasjes së tij me statusin e mbrojtur të territorit.

Pra, dokumentet që sot publikohen si pjesë e një nisme për “transparencë” konfirmojnë njëkohësisht se institucionet shtetërore kishin identifikuar vetë probleme serioze mjedisore me projektin fillestar.

Dhe këtu lind pyetja thelbësore: nëse projekti fillestar u konsiderua i papërshtatshëm për shkak të ndikimit mbi një zonë të mbrojtur, sa do të ndryshojë realisht projekti përfundimtar dhe çfarë do të sakrifikohet që investimi të realizohet?

Zhvilluesi i projektit është shoqëria “Zvernec South Adriatic Development”, e lidhur me investimet e familjes së Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump.

Zvërneci nuk është një territor i zakonshëm ndërtimi. Laguna e Nartës dhe ekosistemi përreth saj konsiderohen ndër hapësirat më të rëndësishme për biodiversitetin dhe shpendët migratorë në Shqipëri.

Për këtë arsye debati nuk mund të reduktohet vetëm te numri i hoteleve, vilave apo vendeve të punës që mund të krijojë projekti.

Në tavolinë është një zgjedhje shumë më e madhe: sa ndërtime mund të përballojë një zonë e mbrojtur përpara se mbrojtja të mbetet vetëm një status në letër?

Publikimi i dokumenteve është një hap drejt transparencës, por transparenca nuk përfundon me hedhjen online të dosjes.

Përkundrazi, dosja hap pyetje të reja.

Çfarë është ndryshuar nga projekti fillestar? Sa sipërfaqe do të ndërtohet në versionin e ri? Sa ndërtesa do të ketë? A do të reduktohen lartësitë? Si do të mbrohen konkretisht laguna, dunat dhe habitatet? Dhe mbi të gjitha, cilat janë vijat e kuqe që shteti shqiptar nuk është i gatshëm t’i negociojë me investitorin?

Sepse dokumentet tregojnë tashmë se një vijë e kuqe është prekur: projekti hyri në një territor ku vetë shteti konstaton se ekziston një ekosistem që duhet mbrojtur.

Tani mbetet të shihet nëse do të përshtatet investimi me natyrën, apo nëse natyra do të duhet të përshtatet me investimin.