Skip to content
Kryesore

“Bojkotoni Portokallinë dhe Top Channel!”/ Shpërthen revolta pas talljes me protestën, Agron Llakaj “i bën fresk” qeverisë, vajza drejton institucion shtetëror

· 3 min lexim

Protesta qytetare u injorua gjatë nga ekrani, por mbrëmjen e së dielës u bë e vlefshme për Top Channel: jo si revoltë, por si gallatë. “Portokallia”, tashmë nën drejtimin e Agron Llakajt, mori pankartat, protestuesit dhe mënyrën e tyre të reagimit dhe i futi në skeç. Në një protestë të ngritur kundër qeverisjes dhe korrupsionit, humori nuk shkoi drejt pushtetit. Shkoi drejt atyre që po e kundërshtojnë.

Ky është edhe dimensioni politik i asaj që ndodhi. Kur një protestë banalizohet dhe protestuesi shndërrohet në karikaturë, efekti është t’i heqësh peshë revoltës dhe ta zhvendosësh vëmendjen nga arsyet që e kanë nxjerrë qytetarin në rrugë. Për qeverinë, vështirë të kishte një skenar më komod: kundërshtimi ndaj saj përfundon në një prej ekraneve më të mëdha të vendit si numër humori.

Shqipëria nuk vuan për mungesë materiali për humor politik. Skandalet qeveritare, korrupsioni, tenderat, koncesionet, abuzimet me paratë publike dhe zyrtarët që përballen me drejtësinë ofrojnë material të bollshëm. Megjithatë, “Portokallia” zgjodhi protestuesin.

Kjo zgjedhje bëhet edhe më domethënëse për shkak të njeriut që sot drejton spektaklin. Agron Llakaj është rikthyer në “Portokalli” pas 16 vitesh, këtë herë duke marrë drejtimin e programit, krahas rolit të moderatorit dhe aktorit.

Ndërkohë, vajza e tij, Alkida Llakaj, mban prej marsit 2025 postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Vendosja e këtyre fakteve në të njëjtën tablo ka ushqyer revoltën që shpërtheu menjëherë pas transmetimit. Në rrjet, “Portokallia” u akuzua për servilizëm ndaj pushtetit, ndërsa Agron Llakaj u përball me kritika të forta për drejtimin që po merr spektakli. Për shumë ndjekës, sidomos për ata që janë rritur me programin, zhgënjimi lidhet me transformimin e një skene që dikur njihej për karikaturizimin e politikanëve në një skenë ku përfundon i karikaturizuar qytetari që proteston.

Reagimet shkuan deri te akuza se artistët po shkëmbejnë dinjitetin me një vend në ekran. Të tjerë folën për një “Portokalli” që ka humbur identitetin e vet, ndërsa thirrja “Bojkotoni Top Channel-in, bojkotoni Portokalli-në” u kthye në një prej reagimeve më të forta pas emisionit.

Dhe kjo nuk është thjesht nostalgji për “Portokallinë” e dikurshme. Satira politike ka një peshë të veçantë pikërisht sepse mund ta zhveshë pushtetin nga pompoziteti, ta ekspozojë përmes humorit dhe ta vendosë përballë publikut. Kur e njëjta armë përdoret mbi qytetarin që proteston, rezultati politik përmbyset: i fuqishmi çlirohet nga presioni, ndërsa i pakënaquri bëhet objekt për të qeshur.

Në vendin ku korrupsioni dhe skandalet publike kanë mbushur kronikat prej vitesh, ku qytetarët shohin zyrtarë të lartë të përballen me drejtësinë dhe ku miliona euro para publike janë bërë objekt hetimesh e debatesh, spektakli gjeti për personazh pikërisht njeriun që del në shesh për të protestuar.

Ndoshta, pa dashur, këtë herë “Portokallia” bëri diçka shumë më të madhe se një skeç: na e bëri tepër të qartë edhe një herë se kë kemi “armik”.