Skip to content
Kryesore

E kishim para syve, por nuk e besuam: Ju kujtohet? Ajsi Xhaxhaj ishte vetëm 15 vjeç kur denoncoi Leonard Bombajn për përdhunim 5-vjeçar

· 4 min lexim

Videot e publikuara së fundmi nga skandali që përfshin Ad Hilën kanë rikthyer një pyetje shumë më të madhe se vetë ajo që shfaqet në pamjet e sotme: çfarë ndodh kur marrëdhëniet mes të rriturve dhe fëmijëve të futur herët në botën e spektaklit kalojnë kufijtë profesionalë dhe kush i mbron të miturit kur ata varen pikërisht nga të rriturit që kontrollojnë ëndrrat dhe karrierën e tyre?

Në një prej videove të publikuara shfaqet edhe Gent Hoxha, dikur fëmijë i “Gjeniut të Vogël”, ku Ad Hila ishte pjesë e rrugëtimit të tij artistik. Pamjet i përkasin Gentit sot, në moshë madhore, dhe zgjedhjet apo jeta e tij private si i rritur nuk janë objekt gjykimi.

Por historia e hershme e njohjes së tyre ka bërë që në rrjet të ngrihen pikëpyetje për natyrën e marrëdhënies së tyre ndër vite dhe nëse kufijtë mes të rriturit dhe të miturit janë respektuar gjithmonë. Deri tani, këto mbeten pikëpyetje dhe jo fakte të provuara: nuk ka një dëshmi publike të Gent Hoxhës që të pretendojë se Ad Hila ka abuzuar me të gjatë kohës kur ishte i mitur.

Megjithatë, debati të rikthen pashmangshëm shumë vite pas.

Ju kujtohet Ajsi Xhaxhaj?

Ishte një nga fëmijët më të njohur të ekranit shqiptar. Publiku e njihte nga “Kripëmjaltëzat”, ndërsa prej moshës 8-vjeçare ishte pjesë e qendrës artistike të drejtuar nga Leonard Bombaj.

Në shtator të vitit 2010, kur ishte vetëm 15 vjeçe, Ajsi bëri një denoncim jashtëzakonisht të rëndë: akuzoi Leonard Bombajn për abuzim seksual, duke pretenduar se gjithçka kishte nisur kur ajo ishte vetëm 10 vjeçe.

Sipas dëshmisë që Ajsi do ta përsëriste edhe vite më vonë, abuzimi kishte vazhduar për rreth pesë vjet.

Një fëmijë po akuzonte një prej njerëzve më të rëndësishëm të jetës së saj artistike.

Por historia nuk përfundoi me një dënim të Leonard Bombajt. Prokuroria e Krimeve të Rënda zhvilloi hetime mbi kallëzimin dhe procedimi penal ndaj tij u pushua. Bombaj i mohoi akuzat dhe më pas dha publikisht versionin e tij për ngjarjen.

Ajsi, ndërkohë, nuk e ndryshoi versionin e saj.

Kur foli publikisht vite më vonë, ajo deklaroi: “Unë i qëndroj strikte versionit të deponimit që kam bërë vite më parë në prokurori.”

Ajo pretendoi se drejtësia nuk e kishte dëgjuar dhe se gjatë procesit ishte ndier e braktisur nga institucionet.

“Kam shkuar në prokurori në prani të nënës sime me 40 temperaturë. Shpesh herë jam trajtuar edhe me mungesë respekti. Jam ndjerë keq në atë ambient.”

Por beteja e saj nuk ishte vetëm me institucionet.

Ajsi tregonte se pas denoncimit humbi miq, u përball me sulme publike dhe me publikimin e fotografive të saj. Ajo hodhi poshtë pretendimet se denoncimin e kishte bërë për famë apo para, duke kujtuar se në atë periudhë ishte tashmë një figurë e njohur për bashkëmoshatarët e saj.

“U tha që jam mashtruese… Thanë e bëri për famë, po pse duhej ta bëja për famë kur unë e kisha dhe isha idhull i bashkëmoshatarëve të mi.”

Edhe vite më vonë, ajo vazhdonte të pyeste të njëjtën gjë.

E pyetur se çfarë do t’i thoshte Leonard Bombajt po ta kishte përballë, përgjigjja e saj ishte vetëm:

“Pse mua?”

Historia e Ajsit nuk mund të përdoret sot si provë për atë që mund të ketë ose jo ndodhur në një histori tjetër. As videoja e një personi tashmë madhor nuk provon se ndaj tij është kryer abuzim kur ka qenë fëmijë.

Por rasti i Ajsit është një kujtesë që nuk duhet harruar.

Në vitin 2010, një vajzë 15-vjeçare doli dhe bëri një denoncim jashtëzakonisht të rëndë ndaj një të rrituri nën drejtimin e të cilit kishte hyrë në botën e artit që fëmijë. Çështja nuk përfundoi me dënimin e Bombajt, ndërsa Ajsi vazhdoi t’u qëndronte akuzave të saj edhe shumë vite më vonë.

Sot, kur histori të tjera ngrenë pikëpyetje të ngjashme, rasti i Ajsit rikthehet si një kujtesë e hidhur për mënyrën se si shoqëria jonë ka zgjedhur të dëgjojë, ose të mos dëgjojë, një fëmijë.

Sepse e kishim para syve shumë vite më parë.

Ajo foli. Denoncoi. Dhe në vend që pikëpyetjet të ngriheshin mbi të rriturin që ajo akuzonte, për shumë kohë ato u ngritën mbi vetë vajzën.

Vitet kanë kaluar, por një pyetje mbetet: sa Ajsi të tjera duhet të flasin që, përpara se t’i gjykojmë, të paktën t’i dëgjojmë?

/Iconstyle