SPAK thellon hetimet pas audio-përgjimit të denoncuar nga Ahmetaj, BKH sekuestron telefonat e Aleks Markut, Ron Yeffet, Arjeta Pucës dhe Ardi Veliut

SPAK ka thelluar hetimet e nisura pas publikimit të audio-përgjimit të denoncuar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ndërsa BKH ka vijuar me kontrollet dhe sekuestrimin e telefonave të disa prej personave të përfshirë në verifikime.
Sipas gazetares Anila Hoxha, hetimet që po drejtohen nga prokurori i SPAK, Klodian Braho, kanë çuar edhe në sekuestrimin e telefonit të Aleks Markut, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga SPAK dhe bazohet në të dhënat e siguruara nga burime jozyrtare të gazetares.
Ndërkohë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila ka miratuar kërkesat e prokurorit Braho, hetuesit e BKH-së kanë sekuestruar edhe materiale dhe prova shkresore gjatë kontrolleve të zhvilluara.
Në kuadër të këtyre veprimeve janë sekuestruar gjithashtu telefonat e biznesmenit Ron Yeffet, biznesmenes Arjeta Puca dhe kreut të KAYO-s, Ardi Veliu.
Veprimet hetimore janë pjesë e çështjes së hapur pas audio-përgjimit të denoncuar publikisht nga Arben Ahmetaj, ndërsa SPAK dhe BKH po vijojnë mbledhjen dhe administrimin e provave.