Vrasja për motive banale e punëtorit të kondicionerit, Indrit Çela tronditi së tepërmi opinionin publik.
Ndërsa në familjen Çela dhimbja vështirë se do të kalojë, duke qënë se Indriti ishte djali i vetëm mes tre motrave.
Babai i 26-vjeçarit, ka gjetur forcën për të treguar në emisionin “Me zemër të hapur”, momentin kur mori vesh lajmin.
Baftjar Çela rrëfen se ka folur për herë të fundit me të birin, një ditë përpara se të ndodhte vrasja.
Më tej ai është shprehur, se kriminelët e vërtetë janë ata që merren me drejtësinë.
Sipas tij, është një rast i rrallë, që t’i marrësh jetën tjetrit duke punuar.
Në fund ai e mbyll duke thënë, se Indritit ia prenë ëndrrat, ndërsa atij shpresat.
“Kam folur një ditë më parë me Indritin. Një javë më parë e kisha në shtëpi, ishim në dasmë tek motra, më çoi dhe më mori dhe më tha do kthehem në Tiranë i thashë nuk do ikësh natën. Iku pas disa orësh bashkë me nipin, e telefonoja i thoja kujdes rrugës. Pas ca ditësh më mori dhe kërkoi të vinte nëna. Në datë 21 ka qenë në Tiranë, u përqafua me motrën, nusen, nënën dhe sa vijnë në Fier marrim vesh lajmin. Kur erdha këtu me tha doktori që djali është vrarë me armë. Nuk ka më…Kriminelë janë këta që merren me drejtësinë. Çfarë drejtësie është kjo, të vrasësh njeriun në punë që është rast i rrallë. Hajde nuk kam as fjalë të them, një padrejtësi, një pafytyrësi, një pasiguri në këtë vend, mos o Perëndi. T’i marrësh jetën një të riu në punë e sipër dhe dalin ca fytyra e flasin pa ndjenjë njerëzore. Ç’të them unë më. Shpirti më ka ngelur mua dhe gruas që si po qëndroj…S’kam ç’të të them më…S’kanë një pikë ndjenje këta njerëz që i mbrojnë…I morën ëndrrat atij djali, në moshën më të bukur. Mua më prenë krahët e shpresës, ç’më ka ngelur më mua? S’më ka ngelur asnjë shpresë, nuk kam më asnjë lloj besimi”, u shpreh Baftjar Çela.
Kujtojmë këtu se në lidhje me këtë ngjarje, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa janë ende në kërkim vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi. Këto të fundit dyshohet se ndodhen jashtë Shqipërisë.