Skip to content
Kryesore

“Shqipëria Europiane” vetëm te çmimet/ Ushqimet më shtrenjtë se në BE, shqiptarët me më pak se gjysmën e fuqisë ekonomike

· 4 min lexim

Qeveria e ka vendosur prej vitesh integrimin europian në qendër të retorikës së saj politike. Shqipëria ka avancuar edhe formalisht në procesin e anëtarësimit, por ka një tregues ku vendi jo vetëm e ka kapur Europën, por e ka kaluar: çmimet e ushqimeve.

Të dhënat për vitin 2025 nxjerrin në pah një kontrast të fortë mes çmimeve që paguajnë shqiptarët dhe nivelit ekonomik me të cilin duhet t’i përballojnë ato. Ushqimet në Shqipëri kushtonin sa 102.9% e mesatares së Bashkimit Europian. Pra, nëse një shportë ushqimore kushton mesatarisht 100 në BE, në Shqipëri niveli i saj arrin rreth 103.

Por Shqipëria nuk është në të njëjtën pozitë me Europën kur krahasimi kalon nga raftet e supermarketit te ekonomia e familjeve. PBB-ja për frymë në vitin 2025 ishte vetëm 43% e mesatares së BE-së, ndërsa konsumi individual aktual për frymë (AIC), tregues që përdoret për të matur më mirë mirëqenien materiale të familjeve, ishte 48%.

Me pak fjalë, Shqipëria ka kaluar mesataren europiane te çmimet e ushqimeve, ndërsa fuqia ekonomike e qytetarëve vazhdon të jetë më pak se gjysma e nivelit europian.

Dhe kjo nuk ka ndodhur brenda një viti.

Në vitin 2016, ushqimet në Shqipëri kushtonin sa rreth 66% e mesatares së BE-së. Brenda vetëm nëntë vitesh, diferenca thuajse u zhduk dhe më pas u përmbys.

Nga 67.7% e mesatares europiane në vitin 2015, niveli i çmimeve të ushqimeve u rrit në 81.2% në 2019, 84.9% në 2022 dhe 90.7% në 2023. Në vitin 2024 arriti në 99.6%, ndërsa në 2025 Shqipëria kaloi vijën e BE-së dhe shkoi në 102.9%.

Ndërkohë, fuqia ekonomike e shqiptarëve nuk ndoqi të njëjtin ritëm. Treguesi i konsumit/të ardhurave reale për frymë u rrit nga rreth 38% e mesatares së BE-së në vitin 2015 në 48% në vitin 2025.

Pra, gjatë kësaj periudhe, çmimet e ushqimeve iu afruan Europës mbi tri herë më shpejt sesa fuqia ekonomike e konsumatorit shqiptar.

Edhe përmirësimi i treguesve për frymë duhet lexuar me kujdes. Censi 2023 tregoi se Shqipëria kishte rreth 2.4 milionë banorë, nga rreth 2.8 milionë në Censin e vitit 2011. Një popullsi më e vogël rrit automatikisht treguesit për frymë kur e njëjta madhësi ekonomike pjesëtohet mes më pak banorëve. Kjo do të thotë se një pjesë e rritjes statistikore nuk përkthehet domosdoshmërisht në të njëjtën masë në përmirësim real të jetesës.

Por ndoshta krahasimi më domethënës vjen nga rajoni.

Shqipëria ishte në vitin 2025 i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku niveli i çmimeve të ushqimeve kaloi mesataren e BE-së. Serbia ishte në 96.6%, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina në 84.6%, ndërsa Maqedonia e Veriut vetëm në 74.3%.

Pra, argumenti se shtrenjtimi është thjesht pjesë e afrimit ekonomik të të gjithë rajonit me Europën nuk mjafton për të shpjeguar pozicionin e Shqipërisë. Vendet fqinje vazhdojnë të kenë nivele dukshëm më të ulëta të çmimeve të ushqimeve.

Edhe rritja e të ardhurave nominale nuk tregon të gjithë historinë. Në vitin 2025, Shqipëria arriti në 11.2 mijë dollarë për frymë dhe u ngjit në vendin e tretë në rajon në terma nominalë. Por kur merret parasysh niveli i çmimeve, vendi zbret në vendin e katërt, me 23.4 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, krahasuar me 29.7 mijë në Maqedoninë e Veriut.

Këtu del edhe kontradikta që statistikat nominale mund ta fshehin: të ardhurat mund të rriten në letër, por ajo që ka rëndësi për familjen është sa mallra dhe shërbime mund të blejë realisht me to.

Dhe për ushqimet, Shqipëria ka mbërritur tashmë në një pikë paradoksale: vendi vazhdon të ketë më pak se gjysmën e fuqisë ekonomike mesatare të BE-së, por qytetarët përballen me një nivel çmimesh ushqimore që e ka kaluar vetë mesataren europiane.

Në këtë tregues, Shqipëria e ka “kapur Europën”. Por jo te të ardhurat dhe mirëqenia; te fatura që qytetari paguan çdo ditë.