Pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, PDK çon në Kuvend ligjin për Specialen: T’i kufizohet juridiksioni, rastet të kalojnë në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës ka ndërmarrë një nismë për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale në Hagë, vetëm pak ditë pas dënimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe protestave që kanë vijuar në Prishtinë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, njoftoi të hënën se grupi parlamentar i partisë ka proceduar në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Hamza sqaroi se nisma nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat ajo është krijuar, përfshirë pretendimet për trafikim organesh. Sipas tij, qëllimi është përcaktimi më i qartë i kufijve të mandatit dhe kompetencave të saj.
“Projektligji përcakton se kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij. Pra, drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku duhet të vazhdojë”, tha Hamza.
Sipas kreut të PDK-së, një akuzë duhet të ketë lidhje konkrete dhe të drejtpërdrejtë me pretendimet për të cilat janë krijuar Dhomat e Specializuara dhe jo të futet nën juridiksionin e tyre vetëm për shkak të një lidhjeje të përgjithshme me luftën apo UÇK-në.
Për çështjet që aktualisht janë në proces, projektligji parashikon që procedurat të vazhdojnë në Apel sipas strukturës ekzistuese. Nëse Apeli urdhëron rigjykim, Hamza tha se ai do të zhvillohej sipas juridiksionit të ri dhe, kur plotësohen kushtet, rasti do të transferohej në Kosovë.
Nisma parashikon gjithashtu mundësinë që organizata ndërkombëtare profesionale dhe të pavarura të monitorojnë punën e Gjykatës Speciale, respektimin e të drejtave të të akuzuarve, standardet e gjykimit të drejtë, kushtet e paraburgimit dhe kohëzgjatjen e proceseve. Sipas propozimit, ato do të raportonin para Kuvendit dhe publikut.
Hamza bëri të ditur se PDK-ja ka diskutuar për nismën me drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, duke u bërë thirrje partive të tjera që ta mbështesin.
“Kjo çështje i tejkalon përmasat e një subjekti politik, të një mandati, të një qeverisjeje, por këtu kemi të bëjmë me historinë e Kosovës dhe ne po kërkojmë që të ketë drejtësi, por mos t’i shkruhet historia”, deklaroi ai.
PDK ka 22 deputetë dhe i nevojiten edhe 18 nënshkrime nga grupet e tjera parlamentare për të arritur 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.
Nisma vjen në ditën e gjashtë të protestave në Prishtinë kundër aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi të hënën mbledhjen urgjente të Kuvendit dhe miratimin e një rezolute të re për angazhimin e institucioneve të Kosovës gjatë procesit të apelit.
“Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar”, shkroi Hoti.
Ai kërkoi gjithashtu që Kuvendi t’i kërkojë Qeverisë “mobilizim të plotë diplomatik” me aleatët ndërkombëtarë, në mënyrë që shqyrtimi në shkallën e dytë, sipas tij, të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë standardet e drejtësisë.
Protestat kanë vijuar çdo natë që prej shpalljes së aktgjykimit më 16 shtator. Organizatorët kërkojnë shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, shkarkimin e ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla, mbështetje dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, si dhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet. Ata u shpallën fajtorë për disa krime lufte dhe të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Të katër kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar apelimin e aktgjykimit.