Kujdes në Tiranë–Durrës! Superstrada bllokohet për dy net, ja oraret dhe devijimet

Qarkullimi në superstradën Tiranë–Durrës do të bllokohet përkohësisht gjatë dy netëve, për shkak të punimeve që po kryhen në kuadër të projektit për zgjerimin e aksit. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar oraret e kufizimit dhe rrugët alternative që duhet të ndjekin drejtuesit e mjeteve.
Sipas ARRSH-së, punimet lidhen me montimin e trarëve tërthorë në hapësirën e mesit të mbikalimit, pjesë e projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”.
Sot, 21 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të bllokohet qarkullimi në drejtimin Tiranë–Durrës.
Trafiku do të devijohet nëpërmjet rampës në drejtim të Rinasit dhe më pas në rrugën dytësore, për t’u rikthyer në superstradë përmes rrugës së Rinasit dhe rampës në drejtim të Durrësit.
Për mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, devijimi duhet të nisë që nga rrethrrotullimi i “Casa Italia”, për të shmangur përdorimin dhe dëmtimin e rampës provizore të Rinasit.
Të martën, 22 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, bllokimi do të kalojë në krahun tjetër të superstradës, në drejtimin Durrës–Tiranë.
Automjetet do të devijohen nëpërmjet mbikalimit Kashar–Thumanë dhe do të vijojnë në rrugën dytësore në anën e majtë deri pas mbikalimit të Kasharit, ku do të rikthehen në autostradë në drejtim të Tiranës.
Mjetet që udhëtojnë drejt Rinasit, Shkodrës dhe Kosovës do të orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë për të vijuar drejt destinacioneve përkatëse.
ARRSH bën të ditur se gjatë orareve të bllokimit trafiku do të devijohet në rrugët dytësore sipas sinjalistikës së vendosur në terren. Autoriteti u kërkon drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, sa të jetë e mundur, të shmangin këtë segment gjatë orëve kur do të zhvillohen punimet.