Vrasja e Egli Progës/ Shtyhet seanca për Denis Meçen dhe Leonidha Guçen

Është shtyrë seanca e parë e gjykimit paraprak në Gjykatën e Korçës për pesë personat e akuzuar në dosjen e vrasjes së Egli Progës në Pogradec. Seanca e zhvilluar këtë të hënë zgjati rreth 60 minuta, por gjykata nuk arriti të merrte një vendim për shkak të mungesës së avokatit të Leonidha Guçes.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet të hënën e ardhshme. Gjykata do të duhet të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim themeli apo do t’i rikthehet Prokurorisë për plotësim të hetimeve.
Çështja mbërriti në këtë fazë pas rreth dy vitesh hetime. Prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim pesë persona, ndërsa ndaj Denis Meçes dhe Leonidha Guçes ka ngritur akuzën për “vrasje me dashje, të kryer në bashkëpunim”.
Meçe dhe Guçe kanë qenë së fundmi nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Tre personat e tjerë të përfshirë në dosje janë nën masën “detyrim paraqitjeje” dhe akuzohen për moskallëzim krimi.
Leonidha Guçe fillimisht ishte hetuar për moskallëzim krimi, por gjatë hetimeve Prokuroria ndryshoi pozicionin e tij në dosje, duke arritur në përfundimin se ai kishte marrë pjesë në dhunimin e Egli Progës së bashku me Denis Meçen. Për këtë arsye, ndaj tij u ngrit akuza për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim.
Egli Proga humbi jetën në gusht të vitit 2024 në Pogradec, pas dhunës së ushtruar ndaj tij. Çështja shkaktoi reagime të forta publike dhe familjarët e tij kanë kërkuar vazhdimisht zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen e përgjegjësve përpara drejtësisë.