Skip to content
Kryesore

Vrasja e “Tanit të Ruzhdiut” në Sarandë/ 13 gëzhoja dhe 20 persona në pyetje, hetohet pista e vrasësve me pagesë

· 2 min lexim

Detaje të reja dalin nga hetimet për ekzekutimin e Artan Myrtajt, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”, në mes të Sarandës. Rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 milimetra janë sekuestruar si prova materiale në vendin e atentatit, ndërsa Policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonë në momentin e vrasjes.

Hetuesit po punojnë gjithashtu me pamjet e kamerave të sigurisë në qytet. Një pjesë e kamerave janë hapur dhe pamjet po analizohen, ndërsa të tjera ende nuk janë aksesuar. Synimi është rindërtimi i lëvizjeve të autorëve para dhe pas atentatit, si dhe itinerari që ata kanë përdorur për t’u larguar.

Ndërkohë, kontrollet vijojnë në akset dalëse të Sarandës, ku janë ngritur postblloqe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Një nga pistat që po verifikohet është mundësia që atentati të jetë kryer nga vrasës me pagesë. Paralelisht, hetuesit nuk përjashtojnë që ekzekutimi i 44-vjeçarit të lidhet me konfliktin e nisur pas ngjarjes së 17 korrikut 2025 në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza.

Myrtaj ishte përfshirë në dosjen e asaj ngjarjeje dhe ishte akuzuar për “përkrahje të autorit të krimit”. Për plagosjen u arrestua Ramadan Zoto, ndërsa Myrtaj dhe Klaus Jaçaj, të akuzuar për përkrahje të autorit, ishin liruar pak kohë më parë. Pas ngjarjes së korrikut 2025, në Sarandë u regjistruan edhe episode të tjera të rënda kriminale, mes tyre vrasja me eksploziv e Isuf Jaçajt, babait të Klaus Jaçajt, si dhe një rast i shkatërrimit të pronës së Ramadan Zotos.

Artan Myrtaj u ekzekutua teksa ndodhej pranë zonës së ish-agjencisë në Sarandë. Para atentatit ai kishte qenë duke konsumuar kafe në një lokal. Pasi pikasi personat që po afroheshin, 44-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u ndoq dhe u qëllua për vdekje. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, një kalimtar i rastit.

Pavarësisht pistave që po verifikohen, deri në këtë fazë të hetimit nuk ka ende një motiv të konfirmuar për vrasjen, ndërsa puna vijon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.