Daja i saj akuzohet për përdhunimin e 34-vjeçares, reagon Zegjine Çaushi: Më thanë se do martoheshin

Deputetja socialiste Zegjine Çaushi ka reaguar pas deklaratave të 34-vjeçares Merita Gremaj, e cila pretendon se Çaushi ishte në dijeni të situatës së saj me dajën e deputetes, Bledar Bakaj. Çaushi mohon të ketë pasur dijeni për dhunën e pretenduar dhe thotë se, kur i ka takuar të dy në fillim të qershorit, Gremaj i është prezantuar si bashkëjetuesja e Bakajt dhe është folur për martesë.
Në reagimin e saj, Çaushi shpjegon se familja e nënës së saj përbëhet nga 11 fëmijë, nëntë motra dhe dy vëllezër, të cilët kanë familjet dhe jetët e tyre dhe nuk mbajnë kontakte të vazhdueshme me njëri-tjetrin.
Deputetja thotë se e ka takuar rastësisht dajën e saj, Bledar Bakaj, së bashku me Merita Gremajn, pas një takimi që kishte zhvilluar në atë zonë në fillim të qershorit. Sipas saj, në oborrin e banesës ndodheshin rreth 10-15 të afërm dhe fqinjë.
Çaushi deklaron se Gremaj iu prezantua si bashkëjetuesja e Bakajt dhe se ajo i uroi për lidhjen. Më pas, sipas deputetes, ajo dhe kushëriri i saj i pyetën:
“E keni ndarë mendjen? Do martoheni?”
Sipas Çaushit, Merita Gremaj është përgjigjur:
“Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…”
Deputetja thotë se në këtë moment i është drejtuar Gremajt me fjalët:
“Se mos na hapni probleme”.
Çaushi sqaron se kjo fjali i referohej faktit që, sipas asaj që kishte thënë Gremaj, babai i saj nuk e miratonte lidhjen. Ajo shton se biseda vijoi me të qeshura dhe urime nga personat e pranishëm.
Sipas deputetes, ajo qëndroi në banesë rreth 10 minuta dhe më pas u largua për shkak të angazhimeve të saj. Çaushi thotë se disa ditë më vonë pa në rrjetet sociale edhe fotografi të Bakajt dhe Gremajt së bashku, “të qeshur dhe me lule në duar”.
“Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre. Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik”, deklaron Çaushi.
Deputetja distancohet nga çdo formë dhune dhe kërkon që rasti të trajtohet nga institucionet kompetente.
“Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar.
Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.
Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre”, përfundon reagimin Zegjine Çaushi.