Skip to content
Kryesore

Hetimet e SPAK për qindra milionë euro/ Tomorri “zhvesh” Ballukun nga pushteti: Nuk është më aq e fuqishme sa më parë, temperatura ka ndryshuar

· 2 min lexim

Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri e konsideron çështjen e Belinda Ballukut si një nga hetimet me peshën më të madhe financiare që ka aktualisht SPAK, për shkak të miliarda eurove të prokurimeve në sektorin e infrastrukturës.

I ftuar në emisionin “Top Story”, Tomorri tha se vetëm procedurat që po hetohen nga SPAK kapin një vlerë prej mbi 300-400 milionë eurosh. Sipas tij, përtej përgjegjësisë penale, çështja kryesore mbetet përcaktimi i dëmit financiar dhe rikuperimi i parave nëse provohet korrupsioni.

“Për nga efekti financiar, infrastruktura është buxhet i madh, janë miliarda euro prokurime. Pavarësisht, SPAK ka 11-12 procedura që janë 300 e ca, 400 milionë euro. Nëse do nisesh nga buxheti i prokuruar, kjo është figura më e rëndësishme që ka nën hetim SPAK.

Ata do të hetojnë sa është dëmi që u është shkaktuar qytetarëve shqiptarë, sa ka përfituar nëpërmjet ryshfeteve. Nuk e dimë nëse SPAK-u do ta arrijë këtë”, tha Tomorri.

I pyetur se përse shfaq skepticizëm ndaj SPAK-ut, gazetari tha se qëndrimi i tij lidhet me mënyrën se si kanë ecur më parë hetimet ndaj figurave të rëndësishme të mazhorancës.

“Unë nuk dyshoj, shoh çfarë ka ndodhur. Përgjithësisht, goditjet që janë bërë brenda mazhorancës, kur kanë qenë figura të mëdha, ka pasur një distancim të zotit Rama dhe pastaj ka ndërhyrë SPAK. Kur ka pasur barrierë nga zoti Rama, si 6-7 muaj më parë, nuk ka ndërhyrë SPAK.

Për sa i përket pjesës financiare, jam skeptik, se në të gjitha aferat që janë hetuar nuk ka pasur një dosje të kopsitur që të thotë: kaq ishte dëmi financiar. Dhe nuk ka pasur rikuperim parash. Paratë ishin gjithmonë në drejtim të paditur dhe ne ndëshkojmë me nenin e famshëm ‘shpërdorim detyre’ apo ‘shkelje e barazisë në tender’, dhe hyjmë në diskutimet nëse do hetohet në burg apo do hetohet në liri.

Interesi i qytetarëve shqiptarë është që aty ku ka korrupsion dhe vjedhje të pasurisë publike, të rikthehen ato para”, u shpreh Tomorri.

Në fund, ai ngriti edhe një tjetër element që, sipas perceptimit të tij, ka ndryshuar rreth pozicionit të Ballukut.

“Perceptimi im është që temperatura për zonjën Balluku duket sikur ka ndryshuar. Nga jashtë duket sikur nuk është aq e fuqishme sa ç’ishte më parë”, përfundoi Tomorri.