Nga Shqipëria e diaspora drejt Prishtinës, marsh për ish-drejtuesit e UÇK-së

Qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora janë nisur këtë të shtunë drejt Prishtinës për t’iu bashkuar marshit kombëtar në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Dhjetëra qytetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë kaluar përmes pikës kufitare të Morinit, ndërsa pjesë e udhëtimit drejt Kosovës janë bërë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.
Mes pjesëmarrësve ka edhe emigrantë që kanë ardhur nga Zvicra posaçërisht për t’iu bashkuar tubimit në Prishtinë.
Marshi zhvillohet sot në kryeqytetin e Kosovës në shenjë solidariteti me ish-drejtuesit e UÇK-së që ndodhen në Hagë, ndërsa pjesëmarrësve nga Kosova pritet t’u bashkohen qytetarë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të diasporës.