Tenderi 50 mln euro i rrugëve nën hetim nga SPAK, ARRSH skualifikon konkurrencën dhe shpall fituesit me oferta pranë fondit limit

Tenderi me vlerë rreth 50 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve po ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si është zhvilluar gara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në secilin prej loteve, ARRSH ka lënë në garë vetëm nga një kompani të kualifikuar, duke eliminuar praktikisht konkurrencën dhe duke hapur rrugën që kontratat të përfundojnë me oferta shumë pranë fondeve limit.
Një nga rastet është kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve në Veri, ku Geci shpk është shpallur fituese me një ofertë prej 803.8 milionë lekësh, ndërsa fondi limit ishte 814.3 milionë lekë. Kjo do të thotë se kontrata është dhënë me një vlerë që arrin afërsisht 99% të fondit limit.
Por procedura bëhet edhe më e rëndë për shkak të zhvillimeve që tashmë kanë përfshirë Prokurorinë e Posaçme. SPAK ka nisur hetime lidhur me tenderin, pas dyshimeve se në një prej loteve është kualifikuar një kompani që dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara.
Në këtë mënyrë, tenderi miliona eurosh për mirëmbajtjen e rrugëve nuk ngre pikëpyetje vetëm për nivelin e ofertave fituese, por edhe për vetë konkurrencën e zhvilluar. Fakti që për secilin lot në fund mbetet vetëm një operator i kualifikuar e kthen garën në një procedurë ku fituesi praktikisht mbetet pa rival.
Hetimi i SPAK-ut pritet të sqarojë tashmë nëse pas mënyrës së zhvillimit të procedurës dhe dokumentacionit të paraqitur ka edhe përgjegjësi penale, ndërsa rreth 50 milionë euro para publike janë në qendër të një tenderi ku konkurrenca është reduktuar në vetëm një ofertues të kualifikuar për secilin lot.