Skip to content
Kryesore

Serbia nderon kriminelin e luftës/ Ratko Mlladiç, i dënuari për gjenocidin në Srebrenicë, varroset si “hero” me nderime shtetërore

· 3 min lexim

Serbia pritet të varrosë sot në Beograd me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake Ratko Mlladiçin, ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Arkivoli i Mlladiçit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë në moshën 84-vjeçare, është ekspozuar në Kishën e Shën Lukës. Mijëra njerëz presin në radhë për t’i bërë homazhe, ndërsa disa mbajnë bluza me portretin e tij dhe simbole të formacioneve ushtarake të kohës së luftës. Në një mur pranë kishës është vendosur edhe një pankartë ku Mlladiç cilësohet “hero serb”.

Rrugët përreth kishës janë mbyllur për qarkullim dhe përgjatë rrugës “Knez Visheslav” janë vendosur flamuj serbë. Ekipet e mediave nuk janë lejuar të hyjnë në hapësirën e rrethuar dhe në kishë. Pranë arkivolit bëjnë rojë me radhë veteranë të ish-Ushtrisë së Republikës Sërpska, ndërsa brenda ndodhen familjarë dhe ish-bashkëpunëtorë të afërt të Mlladiçit.

Për varrimin janë mobilizuar edhe veteranë nga Republika Sërpska. Katër autobusë me rreth 240 ish-pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska u nisën në orët e mëngjesit nga Banjalluka drejt Beogradit, ndërsa transport është organizuar edhe nga qytete të tjera. Në total, 55 autobusë pritet të sjellin pjesëmarrës në ceremoninë mortore.

Mlladiç do të varroset në Varrezat e Topçiderit. Kisha Ortodokse Serbe ka njoftuar se para varrimit do të zhvillohet ceremonia fetare e përcjelljes dhe e ka cilësuar atë si “të krishterë ortodoks dhe ushtar serb”. Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, ka deklaruar se varrimi do të zhvillohet me nderimet më të larta shtetërore.

Homazhet nuk janë kufizuar vetëm në Beograd. Në ditët pas vdekjes së Mlladiçit janë organizuar tubime në disa qytete të Serbisë dhe Republikës Sërpska. Më i madhi u zhvillua më 1 shtator në Banjallukë, ku morën pjesë mbi një mijë njerëz.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk pritet të marrë pjesë në varrim. Ai ka deklaruar se mungesa lidhet me vizitën në Beograd të presidentit të Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev. Vuçiç ka thënë gjithashtu se ka “bërë gjithçka” që varrimi të zhvillohet në “mënyrë dinjitoze” dhe ka kundërshtuar kritikat e Bashkimit Evropian për nderimet shtetërore.

Ceremonia ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke deklaruar se madhërimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë është “i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.

Edhe senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self u kanë bërë thirrje autoriteteve të Serbisë dhe Republikës Sërpska të distancohen nga varrimi.

“Është shumë shqetësuese që Serbia ka njoftuar se Mlladiç do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake. Ditët e ardhshme do të jenë një test nëse Serbia dhe Republika Sërpska janë të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimeve euroatlantike”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Mlladiç u dënua përfundimisht nga drejtësia ndërkombëtare me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Megjithatë, pamjet nga Beogradi dhe homazhet e organizuara pas vdekjes së tij tregojnë se në një pjesë të shoqërisë serbe ai vazhdon të nderohet si figurë heroike, pavarësisht verdikteve të drejtësisë ndërkombëtare.