Nga Britania drejt Tiranës/ Shqiptarët marrin rrugën për protestën e 12 shtatorit

Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe po marrin rrugën drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës së 12 shtatorit në Tiranë. Pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë në Britani, emigrantët kanë njoftuar organizimin e një autokolone automjetesh që do të udhëtojë drejt kryeqytetit shqiptar.
Mobilizimi nga diaspora vjen ndërsa protesta kundër qeverisë së Edi Ramës ka mbushur 100 ditë dhe protestuesit në Shqipëri deklarojnë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen.
Tashmë thirrjes së 12 shtatorit pritet t’i bashkohen edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Nga Britania, ata po organizohen për të përshkuar mijëra kilometra dhe për të mbërritur në Tiranë, duke e kthyer protestën e radhës në një mobilizim që kapërcen kufijtë e Shqipërisë.
Protestat nisën në Zvërnec, pas incidentit ku rojet private tërhoqën zvarrë qytetarët që kundërshtonin rrethimin e zonës, dhe më pas u zhvendosën në Tiranë, duke marrë përmasa politike. Prej 100 ditësh, protestuesit vijojnë tubimet dhe kanë drejtuar thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike, mes tyre edhe “Rama në burg, Berisha në burg”, “Belinda në burg”.
Tani sytë janë te 12 shtatori. Ndërsa protesta hyn në një tjetër fazë, shqiptarët nga Britania po marrin rrugën drejt Tiranës për t’iu bashkuar nga afër tubimit.