Skip to content
Kryesore

Shqipëria nën pushtetin e flakëve, 14 vatra aktive dhe qindra forca në terren

· 2 min lexim

Shqipëria vijon të përballet me një situatë të rënduar nga zjarret, me dhjetëra vatra të raportuara në vetëm 24 orë dhe një operacion të gjerë nga toka dhe ajri për frenimin e flakëve.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 44 vatra zjarri, prej të cilave 14 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë ndërhyrë me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe 1 dron.

Një nga zonat problematike mbetet Shkodra, ku vatra Bardhaj–Myselim vijon aktive dhe po luftohet nga toka dhe ajri, me 71 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Aktive janë edhe vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë angazhuar edhe 50 forca ushtarake. Zjarri në Bërdicë ndodhet nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Edhe në Tiranë vijojnë aktive zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe një avion Air Tractor.

Në Dibër, vatrat aktive ndodhen në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë, ndërsa operacioni në Lundre–Madhesh po mbështetet edhe nga Forcat e Armatosura.

Situata mbetet problematike edhe në Lezhë, ku aktive janë vatrat në Gallatë dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet. Në këtë të fundit janë angazhuar 63 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Sipas të dhënave zyrtare, nuk raportohen banesa në rrezik.

Në Berat vijon aktive vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar. Në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës, disa prej vatrave janë shuar, ndërsa të tjera mbahen nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Forcat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.