Pas Kosovës lëviz edhe Shqipëria/ Shoqërohet në polici Jozefin Marku pas dhunimit të Edi Kuçit

Pas reagimit të autoriteteve të Kosovës, të cilat hapën një rast penal për dhunimin e Edi Kuçit, tashmë ka lëvizur edhe Policia shqiptare. Këngëtari Jozefin Marku është shoqëruar këtë të shtunë në polici, pas publikimit të videos ku ai dhe persona të tjerë shfaqeshin duke dhunuar Kuçin.
Bashkë me Jozefin Markun mësohet se është shoqëruar edhe një person tjetër i përfshirë në ngjarje.
Zhvillimi vjen pasi një ditë më parë autoritetet në Kosovë ndërmorën veprime për rastin, ndërkohë që në Shqipëri ende nuk ishte bërë publik asnjë reagim nga institucionet ligjzbatuese.
Prokuroria Themelore në Pejë hapi me vetiniciativë rast penal ndaj Jozefin Markut për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa autorizoi Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, vendosjen e tij në stop-listë dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore.
Ndërkohë, nga hetimet e deritanishme në Shqipëri është zbuluar se videoja është regjistruar në Tiranë, në zonën e mbikalimit të Rinasit.
Vetë Jozi, pas publikimit të pamjeve, kishte pretenduar se nuk kishte ndodhur asgjë dhe se videoja ishte e inskenuar.
“Asgjë s’ka ndodhur. Jemi aktorë, e kemi bërë vetë”.
Tashmë, shoqërimi i tij në polici shënon veprimin e parë të bërë publik nga autoritetet shqiptare për ngjarjen, pasi institucionet e Kosovës kishin nisur më herët procedurat penale.