Natë tmerri në Kiev/ Rusia godet me raketa e dronë: 12 të vrarë, 17 të plagosur, mes tyre dy fëmijë

Një natë e rëndë sulmesh ka përfshirë Kievin dhe zonat përreth, pasi Rusia lëshoi një valë raketash dhe dronësh ndaj Ukrainës. Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 17 të tjerë janë plagosur, mes tyre dy fëmijë.
Goditjet prekën kryeqytetin ukrainas dhe qytetin Boryspil. Në Kiev, gjashtë nga tetë personat që humbën jetën ishin punonjës të kompanisë shtetërore hekurudhore Ukrzaliznytsia, pasi një depo u godit gjatë sulmit. Zjarre shpërthyen në tre lagje të qytetit.
Situata ishte e rëndë edhe në Boryspil, ku katër persona u vranë pasi u godit një ndërtesë banimi.
Ushtria ruse deklaroi se “sulmi i saj masiv duke përdorur armë me precizion të lartë” kishte në shënjestër objektet “ushtarako-industriale dhe të energjisë së karburantit” të Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha mëngjesin e sotëm se rreth 350 punonjës të ekipeve të shpëtimit kishin punuar gjatë gjithë natës në Kiev dhe rajonin përreth, pas valës së goditjeve.
Në një postim në mediat sociale, Zelensky deklaroi se Rusia kishte qëlluar një “numër të konsiderueshëm dronësh reaktivë dhe raketash balistike”.
Sipas tij, sulmet nuk u kufizuan vetëm në Kiev. Tetë rajone të tjera të Ukrainës u goditën gjatë ofensivës, ndërsa Zelensky bëri të ditur se mes viktimave ndodhej edhe një shtetas indian.
Nga ana tjetër, një person u vra gjatë sulmeve ukrainase në rajonin perëndimor rus të Belgorod-it, sipas guvernatorit në detyrë Aleksandr Shuvaev.
Sulmet e fundit vijnë pas një tjetër goditjeje të rëndë të premten, kur 38 persona u vranë gjatë sulmeve ruse në një depo armësh në rajonin e Kievit. Goditja shkaktoi shpërthimin e predhave, minave dhe dronëve që ndodheshin në objekt.
Vetëm një ditë më parë, kryeministri indian Narendra Modi i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin t’i japë fund luftës, duke deklaruar se çdo ditë e vazhdimit të konfliktit e kthen njerëzimin prapa. India vazhdon të ketë lidhje të rëndësishme ekonomike me Moskën, ndërsa ekonomia e saj mbështetet ndjeshëm te furnizimet me naftë ruse me çmime të ulëta.