Skip to content
Kryesore

Nga burgu në shtëpi pas vdekjes së 7-vjeçarit/ Kush po e favorizon Petri Bozon?

· 5 min lexim

Një fëmijë 7-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga makina që drejtonte Petri Bozo. Hetimet ngritën dyshime se automjeti lëvizte mbi normat e lejuara, Gjykata e Elbasanit e la në burg dhe Apeli e konfirmoi këtë masë. Kur mbrojtja kërkoi sërish lirimin nga qelia, Elbasani tha përsëri “jo”. Por vetëm pak javë më vonë gjithçka ndryshoi: Gjykata e Apelit vendosi që Bozo të dalë menjëherë nga paraburgimi dhe të kalojë në “arrest shtëpie”.

Një kthesë që ngre një pyetje të pashmangshme: çfarë ndryshoi në dosjen e Petri Bozos që burgu, i konsideruar i nevojshëm disa herë, papritur nuk qenka më i tillë? Kush dhe përse po ia zbut masat producentit pas një aksidenti ku humbi jetën një fëmijë vetëm 7 vjeç?

Aksidenti tragjik ndodhi mëngjesin e 25 majit, pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, në fshatin Mengël, në aksin “Elbasan-Librazhd”. Viktima, një nxënës 7-vjeçar i klasës së parë, ndodhej me nënën e tij pasi kishin shoqëruar motrën në shkollë. Vetë vogëlushi zhvillonte mësimin në turnin e pasdites.

Teksa nëna dhe djali po drejtoheshin drejt një dyqani aty pranë, i mituri dyshohet se i shpëtoi nga dora së ëmës dhe doli në rrugë. Në atë moment u përplas nga automjeti që drejtohej nga Petri Bozo. Përplasja rezultoi fatale për 7-vjeçarin.

Pas aksidentit, Bozo pretendoi se nuk po udhëtonte me shpejtësi. Në raportimet e para u përcoll edhe deklarimi i tij se po lëvizte me rreth 10 km/h. Por nga të dhënat e publikuara më pas rezultoi se grupi hetimor kishte arritur në përfundimin se automjeti lëvizte tej normave të lejuara për zonën ku ndodhi aksidenti. Edhe banorë të zonës kishin pretenduar se makina po lëvizte me shpejtësi.

Më 28 maj, Gjykata e Elbasanit me gjyqtare Suela Lika, vlerësoi të ligjshëm arrestimin dhe caktoi ndaj Bozos masën “arrest në burg”. Prokuroria përfaqësohej nga Adnan Hoxha dhe Bozo dyshohej për nenin 290/3 të Kodit Penal, pra shkelje të rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen.

Mbrojtja nuk u pajtua me vendimin dhe iu drejtua Apelit, duke kërkuar një masë më të butë. Por edhe Gjykata e Apelit, në korrik, rrëzoi ankimin dhe la në fuqi “arrestin në burg”. Pra edhe Apeli, pasi shqyrtoi çështjen, vlerësoi në atë moment se Bozo duhej të vazhdonte të qëndronte në paraburgim.

Mbrojtja provoi përsëri. Një tjetër kërkesë për zëvendësimin e masës u paraqit në Gjykatën e Elbasanit. Edhe këtë herë përgjigjja ishte negative: “arresti në burg” mbeti në fuqi.

Por më 15 gusht erdhi kthesa.

Pas ankimit të vendimit, Gjykata e Apelit Tiranë ndryshoi masën nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Petri Bozos nga paraburgimi.

Çfarë ndryshoi?

Kjo është pyetja që drejtësia duhet t’ia shpjegojë publikut dhe, mbi të gjitha, familjes që humbi një fëmijë 7-vjeçar.

Përse një masë që Gjykata e Elbasanit e konsideroi të nevojshme, që Apeli e konfirmoi dhe që Elbasani refuzoi më pas ta zbuste, papritur u konsiderua e panevojshme? Cilat rrethana të reja u paraqitën? Çfarë ndryshoi në dosje? Përse arresti shtëpiak konsiderohet sot i mjaftueshëm, kur vetëm pak javë më parë nuk ishte?

Informacionet e bëra publike për vendimin e fundit nuk japin një përgjigje të qartë për këtë kthesë. Thuhet se Apeli “ka vlerësuar ndryshe” kërkesën e mbrojtjes. Por pikërisht këtu fillojnë pikëpyetjet.

Përse po favorizohet Petri Bozo me një masë më të butë? A ka ndikuar fakti që është personazh publik? A ka pasur ndërhyrje apo favore të tjera në këtë çështje? Apo ekzistojnë rrethana të reja konkrete që justifikojnë ndryshimin? Në mungesë të transparencës mbi arsyet e një vendimi kaq të ndryshëm nga qëndrimet e mëparshme të gjykatave, këto janë pyetje që institucionet e drejtësisë duhet t’i sqarojnë, jo t’i lënë pezull.

A ka patur në këtë çështje ryshfet apo ndërhyrje të paligjshme? Një vendim që ndryshon kaq dukshëm situatën e një të pandehuri në një çështje me pasojë vdekjen e një fëmije, nuk mund të kalojë pa një shpjegim të qartë publik mbi arsyet që çuan në zbutjen e masës.

Dhe pyetja tjetër është edhe më e rëndë: a është “arresti në shtëpi” vetëm hapi i parë drejt një trajtimi gjithnjë e më të butë? Sa do të zbutet më tej pozita e Petri Bozos ndërsa çështja vazhdon?

Duhet theksuar se ndryshimi i masës së sigurisë nuk e shpall Bozon as fajtor dhe as të pafajshëm. “Arresti në shtëpi” gjithashtu mbetet masë sigurie dhe procesi penal vazhdon. Por kjo nuk e përjashton detyrimin për transparencë mbi një kthesë kaq të fortë në qëndrimin e drejtësisë.

Në qendër të gjithë kësaj historie nuk duhet të humbasë fakti kryesor: një fëmijë 7-vjeçar doli atë mëngjes nga shtëpia për të shoqëruar motrën në shkollë dhe nuk u kthye më.

Përballë një tragjedie të tillë, drejtësia nuk mund të mjaftohet me formulën se një gjykatë “vlerësoi ndryshe”. Nëse ekzistojnë arsye ligjore dhe rrethana të reja që justifikojnë kalimin e Petri Bozos nga qelia në shtëpi, ato duhet të bëhen të qarta.

Pas burgut të vendosur nga Elbasani, konfirmimit nga Apeli, refuzimit të një tjetër kërkese për zbutje dhe më pas lirimit nga paraburgimi, çfarë ndryshoi dhe përse drejtësia po bëhet gjithnjë e më e butë me Petri Bozon?