Skip to content
Kryesore

“Tigrat” rrinë fikur, fatura nuk ndalet: KESH hap tenderin 23 mln dollarë pas qindra milionëve të shpenzuara

· 7 min lexim

Dy TEC-et lundruese të ankoruara në Vlorë, të njohura si “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, vazhdojnë të prodhojnë fatura milionëshe edhe kur energjia që japin në sistem mbetet minimale ose inekzistente. Pas kostove të mëdha të akumuluara ndër vite për qiranë, operimin, infrastrukturën, karburantin, sigurimin dhe shërbimet e tjera, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare hap sërish thesin: rreth 23 milionë dollarë të tjerë parashikohen vetëm për operimin dhe mirëmbajtjen e tyre për dy vitet e ardhshme.

KESH ka hapur procedurën me objekt “Operim dhe Mirëmbajtje e Asetit Gjenerues Termik, Vlorë”, me fond limit 1.855 miliardë lekë pa TVSH, ose 23.026 milionë dollarë, sipas kursit zyrtar prej 80.58 lekësh për dollar të datës 13 gusht 2026.

Kontrata parashikohet të zgjasë 731 ditë, pra dy vite, ndërsa operatorët ekonomikë kanë afat deri më 15 shtator 2026, ora 10:00, për të paraqitur ofertat.

Tenderi i ri vjen vetëm pak javë pasi në korrik ishte publikuar një procedurë për të njëjtin objekt, me fond limit 1.892 miliardë lekë, ose rreth 20.2 milionë euro. Edhe atëherë Reforma ngriti pikëpyetjen se përse vazhdojnë të angazhohen dhjetëra milionë euro për mirëmbajtjen e dy aseteve që nuk kanë dhënë një kontribut domethënës në prodhimin e energjisë elektrike.

Dokumentet teknike të procedurës së fundit, të konsultuara nga ekofin.al, tregojnë se kontrata nuk përfshin vetëm mirëmbajtjen rutinë. Fituesi duhet të marrë përsipër praktikisht të gjithë paketën e operimit dhe mirëmbajtjes, në mënyrë që “Tigrat” të qëndrojnë të gatshëm për t’u aktivizuar sa herë që KESH do ta kërkojë.

Parashikohen mirëmbajtje të planifikuara dhe të paplanifikuara, materiale konsumi dhe pjesë këmbimi, raportim, monitorim e kontroll në kohë reale, ndërhyrje në distancë ose në terren, si dhe riparim apo zëvendësim të komponentëve që ndikojnë në performancën e centraleve.

Operatori duhet të sigurojë gjithashtu reagim emergjent 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, mobilizim të menjëhershëm të personelit në rast avarie dhe rikthimin sa më të shpejtë të centraleve në operim.

Pra, edhe kur nuk prodhojnë energji, “Tigrat” duhet të kenë personel, monitorim, pjesë këmbimi, mirëmbajtje dhe gatishmëri teknike. Dhe vetëm kjo gatishmëri mund t’i kushtojë KESH-it deri në 1.855 miliardë lekë pa TVSH për dy vitet e ardhshme.

Por 23 milionë dollarët e tenderit të ri janë vetëm kapitulli i fundit i një historie shumë më të kushtueshme.

Nga “emergjenca” e vitit 2021 te kontrata shumëvjeçare

Historia e dy TEC-eve lundruese nisi në kulmin e shqetësimeve për një krizë energjetike. Më 8 tetor 2021, me VKM nr. 584, Këshilli i Ministrave shpalli “gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike”, fillimisht me efekte deri më 15 prill 2022.

Vetëm dy muaj më vonë, më 9 dhjetor 2021, qeveria miratoi VKM nr. 757, duke autorizuar KESH-in të merrte me qira asete gjeneruese termike. KESH publikoi më pas, më 5 janar 2022, thirrjen për shprehje interesi.

Reforma ka ngritur më herët pikëpyetje mbi faktin se ndërsa emergjenca ishte shpallur fillimisht për një periudhë disa mujore, marrëveshja për asetet termike parashikonte angazhim shumëvjeçar.

Në raportimin tonë të mëparshëm kemi evidentuar gjithashtu problematikat e pretenduara rreth procedurës së përzgjedhjes së operatorit. Sipas dokumentacionit të analizuar në atë investigim, në Buletinin e APP-së dhe në njoftimet e KESH-it rezultonin data të ndryshme për dorëzimin e ofertave.

Po në atë investigim u ngritën pikëpyetje edhe për pronësinë e aseteve në momentin e procedurës. Sipas dokumenteve të cituara atëherë, anijet iu shitën Excelerate në prill 2022 për 15 milionë dollarë, ndërsa kontrata me KESH-in ishte lidhur më 4 prill 2022.

Kjo e bën edhe më të rëndësishëm bilancin financiar që ka pasuar: Shqipëria hyri në një marrëdhënie shumëvjeçare për dy asete që, sipas raportimeve tona të mëparshme, kompania i bleu për vetëm 15 milionë dollarë, ndërsa kostot që lidhen me praninë e tyre në Vlorë janë shumëfishuar.

94,500 dollarë në ditë vetëm qira, operim dhe mirëmbajtje

Sipas të dhënave të publikuara më herët nga Reforma, kontrata parashikonte 63 mijë dollarë në ditë për qiranë e dy anijeve dhe 31,500 dollarë të tjera në ditë për operimin dhe mirëmbajtjen.

Pra, vetëm këto dy zëra arrinin në 94,500 dollarë në ditë, ose mbi 34 milionë dollarë në vit.

Dhe fatura nuk mbaronte këtu.

Për ndërtimin e infrastrukturës së aksesimit dhe ankorimit në Triport u zhvillua një procedurë me vlerë rreth 3 milionë euro, ku sipas raportimit tonë të mëparshëm mori pjesë vetëm një ofertues, “Salillari shpk”.

Në korrik 2023, KESH shpalli procedurën për “Depozitim dhe shkarkim të lëndës djegëse për TEC Lundrues Vlorë”, me vlerë 7.2 milionë euro pa TVSH për 12 muaj.

Në korrik 2024 erdhi një tjetër tender, këtë herë për sigurimin e anijeve, i fituar nga “Intersig Vienna Insurance Group”, me vlerë 174 milionë lekë pa TVSH.

Në gusht 2024, KESH njoftoi gjithashtu blerjen e 21 mijë tonëve lëndë djegëse HFO për termocentralet lundruese, me një vlerë mbi 11 milionë dollarë.

Qira, mirëmbajtje, ankorim, depozitim dhe shkarkim karburanti, sigurim, furnizim me lëndë djegëse dhe tani një tjetër kontratë 23 milionë dollarëshe: lista e faturave vazhdon të zgjatet.

Energji shumë më e shtrenjtë se tregu

Problemi nuk qëndron vetëm te fakti se TEC-et kanë qëndruar për periudha të gjata jashtë prodhimit. Edhe aktivizimi i tyre ngre pikëpyetje të forta ekonomike për shkak të kostos së prodhimit.

Sipas të dhënave të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cituara në investigimin e mëparshëm të Reformës, kostot fikse të gjenerimit për dy vite përllogariteshin në 202 euro/MWh, ndërsa kostot totale, duke përfshirë akcizën, arrinin në 268.98 euro/MWh.

Për krahasim, çmimi mesatar i blerjes së energjisë në tregun e lirë gjatë vitit 2023, sipas ERE-s, ishte 110.52 euro/MWh.

Pra, problemi i “Tigrave” është i dyfishtë: kur qëndrojnë fikur kushtojnë miliona për t’u mbajtur në gatishmëri; kur aktivizohen, prodhimi i tyre mund të rezultojë shumë më i shtrenjtë se energjia e siguruar në treg.

Ndërkohë, gjatë vitit 2026 nevoja për këto centrale është zvogëluar edhe më shumë. Rritja e prodhimit hidroenergjetik dhe zgjerimi i shpejtë i kapaciteteve fotovoltaike kanë shtuar energjinë e disponueshme nga burimet e rinovueshme, duke reduktuar nevojën për prodhimin termik me karburant.

Nga 121 milionë dollarët e raportuar te një faturë që vazhdon të rritet

Në investigimin e publikuar në shkurt 2025, Reforma përllogariste se fatura e lidhur me projektin kishte arritur në rreth 121 milionë dollarë, duke përfshirë rreth 40 milionë dollarë të raportuara për akomodimin e aseteve, 70 milionë dollarë për qiranë dhe 11 milionë dollarë për karburantin.

Që prej asaj kohe, fatura nuk është ngrirë.

Pagesat dhe procedurat për mbajtjen e aseteve vijojnë, ndërsa tani mbi historikun e kostove shtohet edhe fondi limit prej 23.026 milionë dollarësh për operimin dhe mirëmbajtjen gjatë 731 ditëve të ardhshme.

Kjo do të thotë se debati nuk është më vetëm se sa kushtuan “Tigrat” për t’u sjellë në Shqipëri, por sa gjatë do të vazhdojë shteti të paguajë për t’i mbajtur.

Nga Balluku te drejtimi i ri i KESH, “Tigrat” mbeten në faturën publike

Projekti i TEC-eve lundruese u zhvillua në sektorin energjetik të mbikëqyrur politikisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në periudhën kur ajo drejtohej nga Belinda Balluku. Reforma ka raportuar në vijimësi mbi vendimmarrjet e kësaj periudhe në energjetikë dhe mbi çështjet që kanë ngritur pikëpyetje për përdorimin e fondeve publike.

Sot, ndërsa KESH drejtohet nga Viola Haxhiademi, problemi financiar i “Tigrave” nuk është mbyllur bashkë me kapitullin politik që i solli ato në Vlorë.

Përkundrazi, procedura e fundit tregon se fatura vazhdon.

Dhe pyetja që mbetet për KESH-in dhe institucionet përgjegjëse është gjithnjë e më e thjeshtë: cili është justifikimi ekonomik për vazhdimin e shpenzimeve shumë milionëshe për dy asete që përdoren minimalisht, në një kohë kur vetë struktura e prodhimit të energjisë në Shqipëri po redukton nevojën për to?

Sepse “Tigrat” mund të qëndrojnë fikur në Triport, por faturat e tyre nuk janë fikur asnjëherë.

Nga qiraja ditore te infrastruktura e ankorimit, nga karburanti te sigurimi, nga mirëmbajtja te personeli dhe gatishmëria teknike, çdo vit ka sjellë një zë të ri shpenzimesh.

Tani radha i ka ardhur edhe 23 milionë dollarëve të tjerë.

Dhe pas qindra milionëve që projekti ka thithur ndër vite, Shqipëria vazhdon të paguajë jo për energjinë që “Tigrat” prodhojnë, por për faktin që ata vazhdojnë të qëndrojnë aty.