Zjarri riaktivizohet në Zidoll të Krujës, flakët u afrohen sërish depove të eksplozivit

Një vatër zjarri është riaktivizuar në fshatin Zidoll të Krujës, duke rikthyer shqetësimin për situatën në zonë.
Ashtu si dy ditë më parë, flakët po përhapen me shpejtësi dhe po afrohen sërish pranë depove ku ruhet lënda eksplozive që përdoret nga guroret e zonës.
Ndërhyrja nga toka paraqitet tepër e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe shpatit të thepisur malor. Këto kushte po pengojnë lëvizjen dhe ndërhyrjen e mjeteve operative të shërbimit zjarrfikës, duke e bërë të ndërlikuar kontrollin e perimetrit të zjarrit.
Situata mbetet problematike për shkak të afërsisë së flakëve me depot e eksplozivit, ndërsa përpjekjet për vënien nën kontroll të vatrës vijojnë.