Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, bllokohen dy korsi më 14 dhe 15 gusht

Dy korsi të autostradës Tiranë-Durrës do të bllokohen përkohësisht gjatë netëve të 14 dhe 15 gushtit, për shkak të punimeve për montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se ndërhyrja zhvillohet në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”, ndërsa kufizimi i qarkullimit do të jetë në fuqi nga ora 23:00 deri në 05:00.
Gjatë këtyre orëve do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës. Automjetet që udhëtojnë drejt Durrësit do të devijohen në dy korsitë në anën e majtë të autostradës, të cilat përkohësisht do të funksionojnë me lëvizje në të dy drejtimet.
Ndërkohë, mjetet që kanë si destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojnë qarkullimin pa pengesa.
ARRSH u kërkon drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes gjatë kalimit në këtë segment dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e vendosura për menaxhimin e trafikut.
Autoriteti kërkon gjithashtu mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për kufizimet e përkohshme që do të krijohen gjatë kryerjes së punimeve.