Mori peng ish-partneren pasi vrau ish-vjehrrin, historia e Nertil Buzit në Angli: U rrëmbye nga 7 shqiptarë, kërkuan 400 mijë stërlina për ta liruar

Ngjarja e rëndë që tronditi mëngjesin e sotëm Roskovecin ka rikthyer në vëmendje edhe të kaluarën e 35-vjeçarit Nertil Buzi, emri i të cilit ishte bërë publik edhe disa vite më parë në Britaninë e Madhe.
Buzi dyshohet se vrau me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas mori peng ish-partneren. Pas disa orësh ai e la të lirë të renë, ndërsa vetë vijon të jetë në arrati dhe po kërkohet nga policia.
Emri i tij u përmend edhe në vitin 2022, kur u bë viktimë e një pengmarrjeje në Angli. Ai u rrëmbye nga një grup shqiptarësh me precedentë kriminalë dhe u mbajt peng për rreth një javë.
Sipas autoriteteve britanike, pengmarrësit kërkuan 400 mijë stërlina nga familjarët e tij, duke i kërcënuar se do ta vrisnin nëse shuma nuk paguhej brenda afatit të caktuar.
Hetimet e kohës ngritën dyshimet se pengmarrja lidhej me konfliktin mes grupeve rivale që kontrollonin shtëpitë e barit në Britaninë e Madhe. Gjatë kohës që mbahej peng, Buzi u keqtrajtua në mënyrë çnjerëzore dhe pamjet e dhunës që ushtrohej ndaj tij u dërgoheshin familjarëve për t’i detyruar të paguanin shumën e kërkuar.
Në ditën kur skadonte afati i vendosur nga pengmarrësit, policia britanike ndërhyri, liroi pengun dhe arrestoi shtatë shtetas shqiptarë të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje.