Skip to content
Kryesore

Ekzekutoi ish vjehrrin, plagosi ish vjehrrën dhe rrëmbeu ish të fejuarën, RENEA niset drejt Roskovecit për 35 vjeçarin e armatosur. Familjarët: “Do të fejohemi sërish ose do ju vras të gjithëve”, “Pa mua s’ke jetë”, “Policia e kapte, prokuroria e nxirrte”

· 4 min lexim

Një ngjarje tronditëse ka goditur mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35 vjeçari Refit Buzi dyshohet se ekzekutoi me armë gjahu ish vjehrrin e tij, plagosi ish vjehrrën dhe më pas rrëmbeu ish të fejuarën 24 vjeçare, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, forcat speciale RENEA janë nisur nga Tirana për lokalizimin dhe kapjen e autorit, i cili raportohet se është i armatosur.

Viktima është 58 vjeçari Kosta Plaka, i cili humbi jetën në vend si pasojë e të shtënave. Bashkëshortja e tij, Belere Plaka, mbeti e plagosur dhe është transportuar në spital.

Sipas informacioneve paraprake, Refit Buzi shkoi në banesën e ish vjehrrit në orët e para të mëngjesit dhe hapi zjarr. Pas krimit, ai u largua duke marrë me vete ish partneren, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli dhe po zhvillon një operacion të gjerë kërkimi.

Ngjarja, sipas familjarëve, nuk ishte e papritur. Ata pretendojnë se 35 vjeçari kishte kërcënuar prej kohësh ish të fejuarën dhe familjen e saj, ishte arrestuar disa herë dhe ndodhej në arrest shtëpie.

Vëllai i viktimës rrëfeu momentet dramatike të mëngjesit dhe tha se autori kishte paralajmëruar prej kohësh se do të hakmerrej nëse marrëdhënia nuk rikthehej.

“Dëgjuam vetëm zhurmë dhe që bërtisnin brenda. Ne nuk mund të hynim sepse nuk kishim armë. Ai thoshte: ‘Ejani se do t’ju vras të gjithëve’. Policia ka ardhur pas një ore. E mori djali në telefon. Autori ishte i armatosur. Doli nga dritarja, nga pjesa e pasme e shtëpisë, sepse e kishte lënë aty makinën. Mori dhe çupën me vete dhe iku. Vajza qëndronte këtu. Kishin vite të fejuar, por kishin probleme. Ka shkuar 3 herë në polici, është arrestuar. Shkoi në Tiranë para disa muajsh me armë lodër dhe e futën brenda. Tani ishte në arrest shtëpie, kërcënonte gjithmonë. I thoshte vajzës: ‘Ti do të vish tek mua, pa mua ti nuk e bën dot jetën’. Bënte shantazhe. Kjo ishte një vrasje e paramenduar.”

Sipas familjarëve, një nga kërcënimet më të rënda të autorit ishte:

“Do të fejohemi sërish ose do ju vras të gjithëve.”

Edhe kushëriri i viktimës tha se marrëdhënia mes çiftit kishte qenë e trazuar dhe se problemet njiheshin prej kohësh.

“Çifti ishte i dashuruar, por familjet nuk e pranonin këtë lidhje. Ai kishte pasur problemet e tij dhe ka qenë edhe në arrest shtëpie. Ndihemi shumë keq për atë që ka ndodhur. Vajzën e ka marrë me vete. Familja e saj e kishte denoncuar edhe më parë.”

Tronditëse janë edhe deklaratat e nipit të viktimës, i cili pretendon se familja kishte kërkuar ndihmë, por reagimi i institucioneve kishte munguar.

“Dëgjova krisma rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ishim të gjithë në gjumë. U zgjova dhe dola në ballkon, dëgjova zhurmë nga shtëpia e xhaxhait. Pastaj dëgjova krismën e dytë. I rashë policisë, por nuk e hapte telefonin. Kjo ngjarje ishte e paralajmëruar. Personi në fjalë është kapur disa herë, policia e kapte, prokuroria e nxirrte dhe ja sot ndodhi kjo ngjarje e rëndë.”

Ai shtoi se bashkëshortja e viktimës ndodhet në spital, ndërsa 24 vjeçarja është marrë me forcë nga autori.

“Nusja e xhaxhait është në spital, nuk e dimë si është gjendja. Ka rrëmbyer edhe çupën, është 24 vjeçe. Kanë ndodhur konflikte, kemi qenë në dijeni për shkak të vajzës. Kanë qenë të lidhur, janë ndarë dhe sot erdhi kjo situatë. Ai ka shkuar edhe në Tiranë dhe e ka kërcënuar vajzën. Policia e ka marrë disa herë, por e kanë nxjerrë.”

Burime bëjnë me dije se Refit Buzi kishte emigruar më parë në Angli, ku dyshohet se ishte përfshirë në konflikte që lidhen me të ashtuquajturat “shtëpi bari”.

Ndërkohë, operacioni për kapjen e tij vijon. Për shkak të dyshimeve se autori është ende i armatosur dhe konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, drejt Roskovecit janë nisur edhe forcat speciale RENEA. Prioriteti i autoriteteve mbetet lokalizimi i 35 vjeçarit dhe shpëtimi i 24 vjeçares që dyshohet se mbahet peng.