Skip to content
Kryesore

Një e pesta e ekonomisë shkon për bukën e gojës, Eurostat: Shqiptarët shpenzojnë mbi 3 herë më shumë se BE-ja për ushqime

· 2 min lexim

Pavarësisht rritjes ekonomike të viteve të fundit, familjet shqiptare vazhdojnë të shpenzojnë një pjesë shumë të madhe të të ardhurave vetëm për ushqim.

Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, në vitin 2025 shpenzimet për ushqime në Shqipëri arritën në 20.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Me fjalë të thjeshta, rreth një e pesta e gjithë ekonomisë shqiptare përdoret për blerjen e ushqimeve, përqindja më e lartë jo vetëm në rajon, por edhe shumë mbi mesataren e Bashkimit Europian.

Në BE, ushqimet përfaqësojnë mesatarisht vetëm 6.2% të PBB-së, çka do të thotë se Shqipëria shpenzon mbi tri herë më shumë në raport me madhësinë e ekonomisë.

Ky tregues tregon se familjet shqiptare vijojnë të përdorin pjesën më të madhe të buxhetit për nevojat bazë, ndërsa u mbeten më pak të ardhura për strehim, arsim, shëndetësi, transport apo argëtim.

Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria renditet e para. Pas saj vjen Mali i Zi me 19.9% të PBB-së, Bosnjë dhe Hercegovina me 19.1%, Maqedonia e Veriut me 17.9% dhe Serbia me vetëm 12.8%.

Diferenca bëhet edhe më e dukshme krahasuar me vendet e BE-së. Në Rumani ushqimet zënë 12.9% të PBB-së, në Bullgari 11%, në Greqi 11.2%, në Itali 7.9%, në Spanjë 6.6%, ndërsa në Gjermani vetëm 5%. Nivelet më të ulëta regjistrohen në Irlandë me 2.1% dhe Luksemburg me 2.8%.

Një tjetër problem është edhe niveli i çmimeve. Sipas Eurostat, në vitin 2025 çmimet e ushqimeve në Shqipëri u bënë për herë të parë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, duke arritur në 102.9% të mesatares së BE-së.

Kjo do të thotë se një shportë ushqimore që kushton mesatarisht 100 euro në BE, në Shqipëri kushton rreth 103 euro, ndërkohë që të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë vetëm rreth 48% e mesatares europiane.

Në total, shqiptarët shpenzuan rreth 5 miliardë euro për ushqime gjatë vitit 2025. Sipas Eurostat, shpenzimi mesatar për banor arriti në 2,349 euro në vit, një nivel pranë mesatares së BE-së prej 2,576 eurosh, pavarësisht se pagat dhe të ardhurat në Shqipëri mbeten ndër më të ulëtat në Europë.