Skip to content
Kryesore

BIRN: Patronazhistët dixhitalë në aksion, qindra profile të rreme sulmojnë protestën dhe shpërndajnë edhe videot e perëndimit të diellit të Ballukut

· 6 min lexim

Një investigim i BIRN ngre dyshime për ekzistencën e një rrjeti të koordinuar profilesh të rreme në rrjetet sociale, të cilat sipas gjetjeve të medias përdoren për të shpërndarë propagandë pro qeverisë dhe për të sulmuar mbështetësit e protestave kundër kryeministrit Edi Rama.

Debati u rikthye në vëmendje pas një statusi të publikuar më 14 korrik nga ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, i cili kujtoi një praktikë që, sipas tij, kishte nisur gjatë kohës kur drejtonte institucionin. Çuli deklaroi se administratës i kërkohej të pëlqente dhe të shpërndante postimet e Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve në varësi, një praktikë që ai e cilësoi si “sakrificë të përditshme profesionale për një like më tepër”.

Sipas tij, ish-ministrja e Kulturës Elva Margariti ia kishte paraqitur këtë kërkesë si porosi të kryeministrit.

Në një prononcim për BIRN, Çuli shpjegoi se ishte krijuar një grup në WhatsApp me të gjithë drejtorët e Ministrisë së Kulturës, ku publikoheshin materialet që duhej të shpërndaheshin dhe të pëlqeheshin, ndërsa e njëjta praktikë u përcillej edhe vartësve të tyre.

Ndërkohë, përballë protestave që prej më shumë se 50 ditësh kërkojnë dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se algoritmet e rrjeteve sociale kanë ndikuar në përshkallëzimin e revoltës qytetare.

“Sa më shumë shikueshmëri, aq më shumë ndikim. Sa më shumë ndikim, aq më shumë pushtet. Mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve, mbi të gjithë ne,” u shpreh Rama gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Megjithatë, sipas BIRN, të dhënat e mbledhura gjatë ditëve të protestave tregojnë se Facebook dhe Instagram janë përmbytur nga qindra profile të rreme, të cilat shpërndajnë në mënyrë të sinkronizuar përmbajtje propagandistike në favor të qeverisë, por edhe sulme të koordinuara ndaj protestuesve dhe mbështetësve të tyre.

Sipas investigimit, mekanizmi funksionon në mënyrë të ngjashme me atë që përdoret në administratën publike. Materialet e përgatitura nga zyrat e komunikimit të qeverisë, videot dhe memet shpërndahen njëkohësisht nga një rrjet profilesh fantazmë, me qëllim rritjen artificiale të shtrirjes së tyre.

Eksperti i teknologjisë së informacionit, Besmir Semanaj, tha për BIRN se kur shumë profile veprojnë në të njëjtën kohë, algoritmet e rrjeteve sociale mund ta interpretojnë këtë si interes organik, duke i dhënë përmbajtjes më shumë shikueshmëri.

Nga ana tjetër, Zyra e Shtypit e Kryeministrit mohoi çdo lidhje mes këtyre profileve dhe administratës publike.

“Nuk ka asnjë urdhër a koordinim të administratës për këtë gjë nga qeveria, madje qeveria e konsideron absurd këtë pretendim,” deklaroi një këshilltare për mediat e kryeministrit.

Ndërsa ish-ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nuk pranoi të komentonte deklaratat e Hervin Çulit.

Profile të krijuara enkas për propagandë dhe sulme

BIRN e lidh këtë praktikë me fenomenin e njohur si “sjellje joautentike e koordinuar”, një teknikë që, sipas studiuesve Richard Rogers dhe Nicola Righetti në një studim të publikuar në Sage Journals gjatë vitit 2025, synon të mashtrojë algoritmet e platformave duke simuluar angazhim organik.

Sipas investigimit, një skemë e ngjashme ishte përdorur edhe gjatë fushatës së fundit zgjedhore, kur qindra profile me emra që përfundonin me “.2025” komentonin ose sulmonin kandidatë të ndryshëm.

Këtë herë, BIRN identifikoi mbi 100 profile të rreme në Facebook dhe Instagram, të krijuara mes datave 28 dhe 30 qershor. Një pjesë e tyre u zbuluan duke monitoruar personat që shpërndanin postimet e kryeministrit në Facebook.

Shumë prej profileve përdorin emra që lidhen drejtpërdrejt me Partinë Socialiste, si “Edi Rama per Shqiperine 2030”, “kolonjasot2030” apo “Bulqiza e së Ardhmes 2030”.

Megjithëse kanë emra të ndryshëm, ato publikojnë pothuajse të njëjtën përmbajtje. Përveç promovimit të materialeve pro qeverisë, profilet përdoren për të sulmuar protestën dhe figurat që e mbështesin atë.

Sipas BIRN, ndër personat e targetuar janë drejtuesit e partive të vogla parlamentare Agron Shehaj dhe Arlind Qorri, si edhe këngëtarja Dua Lipa, pas qëndrimit të saj në mbështetje të protestave.

Deputetja Marjana Koçeku deklaroi për BIRN se u përball me një fushatë të organizuar denigruese pasi njoftoi largimin nga Partia Socialiste për shkak të protestave.

“Ishin profile të reja dhe përdornin gjuhë denigruese e fyese. I kam ruajtur të gjitha, zgjati disa ditë,” tha ajo.

Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj tha se u bë objekt sulmesh të koordinuara nga profile false dhe militantë partiakë.

“Këta kryesisht synojnë të shajnë individin, të thonë ‘je e Sorosit’ etj. Pati një rast që më përmendën edhe partnerin,” deklaroi ajo, duke shtuar se në sulme përdorej shpesh edhe gjuhë diskriminuese me etiketime krahinore.

“Patronazhistët” dixhitalë dhe rrjeti i shpërndarjes

Sipas disa ish-zyrtarëve të administratës publike që folën për BIRN në kushte anonimiteti, prej vitesh funksionon një strukturë e posaçme monitorimi me një “Koordinator Dixhital”, e cila organizon shpërndarjen e përmbajtjeve politike në rrjetet sociale.

Ata pretendojnë se postimet shpërndaheshin përmes grupeve në WhatsApp dhe monitoroheshin vazhdimisht, ndërsa punonjësit që nuk ishin mjaftueshëm aktivë merrnin vërejtje.

Një ish-zyrtare deklaroi se ishin punësuar persona të dedikuar vetëm për këtë proces dhe se çdo ndërveprim regjistrohej në një sistem vlerësimi.

Një tjetër ish-punonjëse tha se gjatë fushatave postimet duhej të shpërndaheshin dhe të pëlqeheshin detyrimisht.

“Nëse një person në grup nuk ishte aktiv mjaftueshëm, i tërhiqej vëmendja me mesazhe të tipit ‘nuk je aktiv’,” tregoi ajo.

Sipas ish-zyrtarëve, profilet reale që marrin pjesë në këtë mekanizëm dallohen lehtësisht pasi aktiviteti i tyre përbëhet pothuajse ekskluzivisht nga shpërndarje të materialeve politike.

Duke ndjekur këtë gjurmë, BIRN identifikoi profile të tjera të rreme dhe persona të punësuar në administratë që shpërndanin në mënyrë sistematike qëndrimet politike të përfaqësuesve të mazhorancës, përfshirë edhe postime kundër protestës.

Si shembull, investigimi përmend një postim të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ku krahasohej protesta e fundit me ngjarjet e vitit 1998. Sipas BIRN, ai u shpërnda nga punonjës të administratës publike, bashkive dhe kompanive publike në Fier, Patos dhe Lushnjë.

Po sipas investigimit, duke ndjekur aktivitetin e këtyre profileve vihet re se ato nuk shpërndajnë vetëm përmbajtje politike, por edhe postime personale të figurave qeveritare, përfshirë videot e perëndimit të diellit në det të publikuara nga Belinda Balluku.