Amnistia e nxori nga burgu, por pas dy ditësh u arrestua sërish, 36-vjeçari vodhi një lokal në Lushnjë dhe i vuri flakën

Amnistia penale, e cila u dha lirinë e menjëhershme 541 personave, nuk ka sjellë për të gjithë të liruarit një fillim të ri larg problemeve me ligjin.
Mes përfituesve ishte edhe 36-vjeçari Mariglen Gashi, i dënuar më parë për vjedhje, i cili vetëm dy ditë pas daljes nga burgu përfundoi sërish në pranga për të njëjtën vepër penale.
Sipas hetimeve, që të nesërmen e lirimit, Gashi dyshohet se iu rikthye aktivitetit kriminal për të cilin ishte dënuar më parë. Brenda dy ditësh, më 16 dhe 17 korrik, ai akuzohet se kreu dy vjedhje në fshatin Plug të Lushnjës.
Fillimisht, 36-vjeçari dyshohet se hyri në një dyqan dhe vodhi dy bateri automjetesh. Një ditë më pas, në orët e para të mëngjesit, ai dyshohet se u fut në një lokal në të njëjtin fshat, ku mori një shumë parash dhe një laptop.
Përpara se të largohej, Gashi dyshohet se i vuri zjarrin lokalit, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.
Gjurmët e gjetura në vendngjarje dhe veprimet hetimore të kryera nga Policia çuan në identifikimin dhe arrestimin e tij.
Rasti rikthen pikëpyetjet mbi efektivitetin e amnistisë penale për personat me precedentë kriminalë, pasi një i dënuar për vjedhje, i liruar përmes këtij mekanizmi ligjor, dyshohet se iu rikthye menjëherë të njëjtës vepër penale, duke e shoqëruar atë edhe me zjarrvënie.