Humb jetën në një aksident tragjik gazetari Enrik Mehmeti, motomjeti u përmbys në Zvërnec

Një aksident tragjik i ka marrë jetën mbrëmjen e sotme gazetarit Enrik Mehmeti. Ngjarja ka ndodhur në Zvërnec, në bregdetin e Vlorës, ku ai po lëvizte me një motomjet me katër rrota.
Sipas të dhënave paraprake, Mehmeti dyshohet se humbi kontrollin mbi drejtimin e motomjetit pas një manovre, duke bërë që mjeti të përmbysej dhe të rrokullisej disa herë. Gjatë aksidentit, një pjesë metalike e motomjetit e goditi rëndë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime fatale.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. Gazetari u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Në motomjet ndodhej edhe një 18 vjeçar, i identifikuar me inicialet K. S., i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Vlorës bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40, në zonën e Dajlanit, në Zvërnec, jashtë zonës rrugore dhe në një sipërfaqe bregdetare. Sipas verifikimeve paraprake, në aksident nuk janë përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale.