Skip to content
Kryesore

“Duhej të thosha ‘deportim’, jo ‘spastrim etnik’/ Ministrja serbe refuzon dorëheqjen dhe tenton të justifikojë deklaratën për Kosovën

· 3 min lexim

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snežana Paunoviç, ka refuzuar të tërhiqet nga posti pas deklaratës së saj për spastrimin etnik të Kosovës, duke këmbëngulur se fjalët e saj janë keqinterpretuar dhe se pjesë të intervistës janë shkëputur nga konteksti.

Pas valës së reagimeve që shkaktoi deklarata e saj, Paunoviç tha se ndoshta do të kishte qenë më e përshtatshme të përdorte termin “deportim” në vend të “spastrim etnik”, vetëm për të shmangur kritikat nga të dyja palët.

Deklarata e ministres shkaktoi reagime të forta pasi, në një intervistë të transmetuar fundjavën e kaluar në Kurir TV, ajo u shpreh se, nëse do të kishte qenë në vendin e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.

Paunoviç pretendoi se polemikat erdhën si pasojë e “keqpërdorimit të një pjese të deklaratës” së saj.

“Kur nxjerr shtatë sekonda nga një emision i tërë, mund të bësh pikërisht atë që bënë ata”, deklaroi ajo për televizionin serb Prva, duke pretenduar se deklarata u përdor për qëllime politike.

Ajo pranoi se përdorimi i termit “spastrim etnik” mund të ishte shmangur.

“Po, ndoshta do të kisha përdorur termin deportim, vetëm për të shmangur kryqëzimin nga të dyja palët”, tha Paunoviç, duke shtuar se i referohej largimit të personave që nuk respektonin ligjet dhe jo eliminimit fizik të askujt.

Duke u përpjekur të shpjegojë deklaratën e saj, ministrja tha se, sipas saj, Millosheviçi duhej të kishte larguar personat që nuk respektonin Kushtetutën dhe ligjet e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë, ndërsa ndaj personave që ajo i cilësoi si “terroristë” duhej të vepronin forcat zyrtare të sigurisë.

Paunoviç kritikoi gjithashtu nismën e 53 deputetëve të opozitës në Parlamentin serb, të cilët kanë kërkuar shkarkimin e saj, duke i akuzuar politikanët opozitarë dhe një pjesë të mediave në Serbi se po e shfrytëzojnë çështjen për përfitime politike dhe se reagimet e tyre po mbështeten edhe nga Kosova.

Ajo sulmoi edhe ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili i ka ndaluar hyrjen në Kosovë, duke ngritur akuza ndaj të kaluarës së tij gjatë luftës. Sveçla i ka mohuar dhe kundërshtuar vazhdimisht këto pretendime.

Sa i përket kërkesave për dorëheqje, Paunoviç deklaroi se do të largohej nga posti vetëm nëse këtë do ta kërkonte shumica e qytetarëve serbë.

“Nëse shumica e Serbisë e kërkon këtë, nuk do të kem problem të tërhiqem”, u shpreh ajo.