Shqipëria s’ka çfarë të shesë, sepse nën drejtimin e Ramës nuk prodhon më asgjë!

Nga Irena Beqiraj
Rubrika: T’i shpjegojmë Kryeministrit ekonominë
Shqipëria nuk ka çfarë të shesë, sepse nën drejtimin e tij nuk prodhon më asgjë!
Shumë i inatosur, i paqetë, Kryeministri pyet çfarë mund të shesë Shqipëria për të siguruar mirëqenie…
Ka të drejtë të inatoset e të çirret, madje edhe të tallet me veten, se përveç qelesheve, shqiponjave apo flamujve, nuk kemi asgjë për të shitur, veç vendit, sepse ekonomia që krijoi ky Kryeministër nuk prodhon asgjë.
E ndërsa në 13 vite që drejton na ka siguruar “mirëqenien” me lloj-lloj manovrash ekonomike, si PPP, investimet strategjike, amnisti fiskale, Rilindja 1.0 e më pas 2.0, na është mburrur për rrogat e larta, edhe të krahasueshme me Greqinë, të kamarierëve dhe pastruesve, asnjëherë nuk e gjeti as guximin e as forcën të flasë për motorin e zhvillimit ekonomik: prodhimin.
Ka të drejtë që nxehet. Sot nuk kemi çfarë të shesim, sepse nuk prodhojmë. Jemi të varur nga importi, se nuk prodhojmë. Nuk ofrojmë dot punësim cilësor, sepse nuk prodhojmë. Madje nuk krijojmë e nuk shpërndajmë as njohuri, se nuk prodhojmë. Nuk kemi ekonomi të qëndrueshme e, si rrjedhim, as mirëqenie, pikërisht se nuk prodhojmë.
“Qëndrueshmëria” nënkupton aftësinë për të përmbushur nevojat e tanishme pa kompromentuar aftësinë e brezave të ardhshëm për të përmbushur nevojat e tyre.
Edhe sektori prodhues është thelbësor në sigurimin e “qëndrueshmërisë”. Prodhimi industrial jo vetëm është një motor rritjeje për vendet në zhvillim, por, për më tepër, është vërtetuar se ai është shtylla e nevojshme për të siguruar rritje ekonomike në kohët e vështira.
Prodhimi, përveçse rrit nivelet e konkurrencës, rrit produktivitetin, siguron punësim cilësor me paga të larta, ai siguron lidhje të ngushta me segmentet e tjera të ekonomisë. Por prodhimi është i rëndësishëm edhe në një aspekt tjetër. Proceset e prodhimit shpeshherë mbështeten në inputet e sektorëve të tjerë, të cilët përparojnë me përparimin e industrisë prodhuese. Në këtë mënyrë, prodhimi ofron funksionin e bartësit të shërbimeve, të cilat nuk mund të shiten ose të eksportohen pa u inkorporuar në një produkt përfundimtar. Ndërkohë, prodhimi është burimi kryesor i aktiviteteve të kërkimit, zhvillimit dhe inovacioneve, kaq të rëndësishme në kohën e transformimeve teknologjike. Për më tepër, pa një industri të shëndetshme prodhuese, është e vështirë të balancohet bilanci tregtar; është e pamundur të krijohen vende pune me pagë të lartë për nivele të ndryshme të aftësive; ndërkohë që, me zhvillimet teknologjike, industria prodhuese dhe shërbimet do të bëhen gjithnjë e më shumë të pandashme dhe komplementare.
Ndërkohë, më shumë se pesë dekada të liberalizimit të tregtisë botërore treguan qartësisht se vendet që mbetën prapa në industrializim apo, për më keq, përjetuan deindustrializim të vazhdueshëm dhe që larguan burimet, tokën, punën, kapitalin nga sektori prodhues, mbetën të pazhvilluara.
E pra, sot, që të mos shesim Shqipërinë, nuk na duhet makijazhi i fasadave; na nevojiten politika funksionale, të mbështetura nga fonde të qenësishme buxhetore, që adresojnë rritjen e ofertës në ekonomi nëpërmjet përmbushjes së 4 objektivave:
1) Fuqizimit të sektorit ekzistues të prodhimit, duke neutralizuar efektet e mbivlerësimit të lekut; duke zhvilluar drejtime të reja, siç është zhvillimi i zinxhirit të vlerave në tekstile, agropërpunim dhe industrinë e lehtë. Ndërkohë, është i nevojshëm krijimi i Fondit të Investimeve të Ndërmjetme, i cili duhet të shërbejë si bashkëfinancues për përgatitjen dhe realizimin e projekteve për zhvillim teknologjik.
2) Nxitjes së eksporteve, duke përfshirë jo vetëm mundësinë për zgjerimin e bazës aktuale eksportuese, por, në të njëjtën kohë, zgjerimin e investimeve për tregje të reja dhe produkte të reja. Përvetësimi i tregjeve të reja, rritja e shitjeve, rritja e konkurrencës në tregjet e reja, rritja e numrit të ndërmarrjeve me orientim eksporti, mbështetja dhe ndërkombëtarizimi përmes arritjes së standardeve, si dhe integrimi i burimeve të informacioneve eksportuese dhe shpërndarja e tyre, janë kyçe për stimulimin e eksportuesve.
3) Rritjes së produktivitetit, transferimit të teknologjive dhe inovacionit. Kjo kërkon krijimin e Zyrës Kombëtare për Transferimin e Teknologjive, e cila duhet të shërbejë si nyje e ndërlidhjes midis firmave, universiteteve, laboratorëve të kërkimit publik, agjencive qeveritare dhe institucioneve financiare. Mungesa e këtij ndërveprimi largon ose rrit distancën e bashkëpunimit midis këtyre aktorëve, duke i lënë ata të izoluar dhe jobashkëpunues, duke penguar transformimin teknologjik dhe inovacionin.
4) Krijimit të një sektori prodhues që krijon dhe shpërndan njohuri. Dështimi në krijimin dhe shpërndarjen e njohurive ndodh për shkak se ne nuk e kemi kuptuar që njohuria prodhohet në ekonomi, shpërndahet dhe përmirësohet në universitete, dhe, për më tepër, nuk e kemi konsideruar asnjëherë njohurinë si një të mirë publike. Ndaj është e rëndësishme mbështetja e qeverisë në ngritjen dhe fuqizimin e sektorëve teknologjikë dhe të kërkimit, aftësimi profesional dhe praktik i personave të rinj të sapopunësuar, si dhe sigurimi i ekspertizës teknike ndërkombëtare për kompanitë vendase.
Patjetër, ky është ushtrim i vështirë për çdo qeveri, por më e keqja është se për QEVERINË E Rilindjes së fasadave, kazinove e koncerteve është i pamundur.
Ndaj, i bindur dhe i inatosur për këtë pamundësi, ai çirret se nuk ka ç’të shesë përveç Shqipërisë!