Skip to content
Kryesore

SPAK kërkon rrëzimin e 23 kërkesave të Ilir Beqajt për dosjen e sterilizimit

· 2 min lexim

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që gjykata të rrëzojë 23 kërkesat e paraqitura nga ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me të cilat ai kundërshton akuzën ndaj tij dhe veprimet proceduriale të kryera gjatë hetimit për koncesionin e sterilizimit.

Gjatë seancës gjyqësore, prokurori i SPAK, Edvin Kondili, argumentoi se kërkesat e Beqajt janë të pabazuara në ligj dhe nuk duhet të pranohen. Sipas tij, shumica e pretendimeve të ish ministrit janë trajtuar dhe kanë marrë përgjigje që në fazën e hetimit, gjatë seancës paraprake ku u vendos kalimi i çështjes për gjykim, si edhe gjatë shqyrtimit në themel të dosjes.

SPAK vlerëson se nuk ekzistojnë arsye ligjore që të justifikojnë pranimin e kërkesave të paraqitura nga Beqaj.

Ish ministri është i pandehur në dosjen e koncesionit të sterilizimit dhe më 18 mars iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre”, e kryer në bashkëpunim. Hetimi lidhet me koncesionin për ofrimin e shërbimeve të integruara të sterilizimit, furnizimin me materiale mjekësore sterile njëpërdorimëshe për sallat kirurgjikale, si edhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.

Në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe tetë persona të tjerë. Mes tyre janë ish zv ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i koncesionit, Ilir Rrapaj, të cilët ndodhen në masën e sigurisë “arrest në burg” që prej gushtit të vitit të kaluar. Për gjykim janë dërguar edhe gjashtë ish zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, anëtarë të komisionit që shqyrtoi dhe miratoi koncesionin e sterilizimit.