Vrasja e Santiago Malkos, Apeli vulos dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, i shpallur fajtor si pjesë e grupit kriminal të akuzuar për ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko.
Selmani nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore. Pas vendimit të Apelit, ai pritet të transferohet nga masa e “arrestit në shtëpi” në një institucion të sigurisë së lartë për të vuajtur dënimin.
Më herët, Selmani ishte liruar nga paraburgimi dhe ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, për shkak të tejkalimit të afateve ligjore të qëndrimit në paraburgim.
Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e Xhamllikut në Tiranë, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “BMW X5”. Sipas hetimeve, autorët e ndoqën me dy automjete dhe hapën zjarr me breshëri kallashnikovi, duke i shkaktuar vdekjen në vend. Pas atentatit, makina e përdorur nga autorët u gjet e djegur në zonën e Farkës, ndërsa hetimet e SPAK e cilësuan ngjarjen si një ekzekutim të organizuar nga një grup i strukturuar kriminal.
Për vrasjen e Malkos, Prokuroria e Posaçme akuzoi tetë persona. Sipas dosjes hetimore, në krye të grupit qëndronin vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Grupi i akuzuar përbëhej nga Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Hetimet kanë ngritur dyshime se motivi i ekzekutimit lidhej me përplasjet mes grupeve kriminale që vepronin në Tiranë.