Skip to content
Kryesore

Paradoksi i madh: Studentët serbë ngrihen për Kosovën, në Shqipëri reagimi mbetet institucional

· 5 min lexim

Studentët protestues në Serbi kanë bërë atë që deri tani nuk e ka bërë Shqipëria dhe as studentët shqiptarë pas deklaratës së rëndë të ministres Snezhana Paunoviç: kanë refuzuar publikisht, qartë dhe pa asnjë rezervë thirrjen për spastrimin etnik të Kosovës.

Reagimi i tyre vjen pasi ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale me sloganin “Ne nuk ua dëshirojmë të tjerëve atë që nuk ia dëshirojmë vetes”, studentët serbë e cilësuan deklaratën fashizoide të ministres si të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor.

“Në një shoqëri demokratike nuk ekziston asnjë justifikim për thirrje për spastrim etnik. As si hipotezë historike. As si mesazh politik. As si qëndrim personal. Prandaj deklarata e ministres është e papranueshme dhe tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo personi”, thuhet në reagim.

Studentët theksuan se një ministre nuk përfaqëson vetëm veten apo partinë e saj, por shtetin dhe të gjithë qytetarët, përfshirë shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Ata shprehën shqetësim të veçantë për faktin se një deklaratë e tillë vjen pikërisht nga ministrja përgjegjëse për administratën publike dhe vetëqeverisjen lokale, një sektor që duhet të mbështetet te barazia e qytetarëve, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave të të gjithëve, pa dallim etnie.

“Si popull, edhe vetë kemi përjetuar dëbime, spastrime etnike dhe vuajtje. Serbët kanë një detyrim të veçantë moral që të refuzojnë pa rezerva çdo thirrje për një politikë të tillë”, deklaruan studentët.

Ky reagim vjen në një kohë kur Kosova nuk është mjaftuar vetëm me deklarata.

Autoritetet në Prishtinë e kanë shpallur Snezhana Paunoviç person “non grata”, duke i ndaluar hyrjen dhe kalimin në territorin e Kosovës. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cilësoi deklaratën si shprehje të së njëjtës logjikë që solli krimet dhe spastrimin etnik gjatë luftës.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka depozituar gjithashtu kallëzim penal ndaj ministres serbe dhe i ka kërkuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, të procedojë me aktakuzë dhe të kërkojë dënimin e saj nga gjykata kompetente.

“Kosova nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes”, deklaroi Gërvalla.

Edhe brenda Serbisë presioni ndaj Paunoviç është shtuar. Plot 53 deputetë opozitarë kanë mbledhur nënshkrimet për t’i kërkuar kryeministrit Gjuro Macut shkarkimin e saj. Nisma është ndërmarrë nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë dhe është mbështetur nga disa grupe opozitare, si dhe nga deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Megjithatë, qeveria serbe nuk është distancuar nga deklarata. As presidenti Aleksandar Vuçiç dhe as kryeministri Gjuro Macut nuk e kanë dënuar publikisht ministren. Përkundrazi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, doli në mbrojtje të saj, ndërsa vetë Paunoviç nuk u kërkoi falje shqiptarëve dhe nuk u tërhoq nga qëndrimi.

Bashkimi Europian e ka dënuar deklaratën, duke theksuar se në Europë nuk ka vend për retorikë që promovon apo justifikon spastrimin etnik. Edhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se një gjuhë e tillë urrejtjeje nuk mund të ketë vend në procesin e integrimit europian. Por deri tani reagimi i Brukselit ka mbetur vetëm në nivel deklarativ, pa masa konkrete ndaj Serbisë.

Shqipëria, nga ana tjetër, është mjaftuar me dënimin publik të deklaratës nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Tirana nuk ka bërë publike thirrjen e ambasadorit serb për dorëzimin e një note proteste, nuk i ka kërkuar zyrtarisht Beogradit të distancohet nga deklarata dhe të shkarkojë ministren, nuk e ka shpallur Paunoviç person “non grata” dhe nuk ka njoftuar ndonjë nismë të koordinuar me Kosovën në institucionet europiane.

Kjo edhe pse deklarata e ministres serbe prek drejtpërdrejt shqiptarët dhe Shqipërinë, pasi ajo foli për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës drejt “shtetit amë”.

Në të njëjtën kohë, nga studentët shqiptarë nuk është parë ende një reagim publik i krahasueshëm me deklaratën e studentëve protestues në Serbi.

Kështu, studentët që protestojnë kundër regjimit në Beograd po bëjnë atë që nuk po bën ende Shqipëria dhe as studentët shqiptarë: po refuzojnë fort dhe publikisht një deklaratë që synon të normalizojë idenë e spastrimit etnik të shqiptarëve.