Skip to content
Kryesore

“Askush nuk është imun”, apo e gjithë kupola është e paprekshme nga SPAK?

· 6 min lexim

“Askush nuk është imun ndaj SPAK”. Kjo ishte deklarata e kreut të Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, kur u pyet nëse edhe kryeministri Edi Rama mund të hetohej në kuadër të çështjes “Albanian Files”.

Por, ndërsa SPAK përsërit se përpara ligjit nuk ka të paprekshëm, dosjet më të mëdha të korrupsionit vazhdojnë të zvarriten, emrat e pushtetshëm mbeten të lirë dhe oligarkët që dalin në përgjime, tendera, koncesione dhe dëshmi nuk thirren, nuk hetohen ose harrohen sapo ikin nga faqet e para të mediave.

Në letër, askush nuk është imun. Në praktikë, pyetja është tjetër: a është bërë e gjithë kupola politike dhe ekonomike imune ndaj SPAK?

Çështja “Albanian Files” sapo ka hyrë në proces hetimi dhe përfshin pretendime që prekin drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama. Pikërisht për këtë arsye, kjo dosje nuk mund të trajtohet si një kallëzim i zakonshëm, që hapet, zgjatet dhe harrohet në sirtarët e Prokurorisë së Posaçme.

Publiku ka parë shumë dosje të bujshme që janë hapur me deklarata të forta, por më pas janë zvarritur për muaj ose vite. Dosje ku emrat më të fuqishëm dalin në përgjime, dokumente dhe dëshmi, por hetimi përfundon te zyrtarë të niveleve më të ulëta ose te episode dytësore.

Prandaj, hetimi për “Albanian Files” dhe përfshirjen e mundshme të Edi Ramës është një provë për vetë SPAK. Jo për atë që thotë në komisione, por për atë që është në gjendje të bëjë kur dosja prek majën e pushtetit.

Rasti më i afërt dhe më i fortë është ai i Belinda Ballukut, ish-zëvendëskryeministre, ish-ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe një prej njerëzve më të fuqishëm të qeverisë së Edi Ramës.

është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa ndaj saj janë shtuar dyshimet për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.

Në qendër të hetimit është vila F6 në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, e sekuestruar si pasuri që, sipas SPAK, është në pronësi indirekte të Ballukut dhe është fshehur përmes kontratave të dyshuara si fiktive.

Hetuesit pretendojnë se vila me vlerë 145 mijë euro është përfituar në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në një tender të Albcontrol dhe se për fshehjen e pronësisë janë përdorur Igli Tare, Joana Bushi dhe vartëse të tjera të Ballukut.

Të dhënat e dosjes tregojnë se vila përdorej nga Balluku dhe familjarët e saj, se mobilimi dhe administrimi ndiqeshin nga rrethi i saj, ndërsa kontrata e energjisë dhe faturat menaxhoheshin nga vartëset Viola Haxhiademi dhe Laureta Omeri.

Edhe gjurmët elektronike e lidhin pronën me Ballukun. Adresa e saj elektronike rezulton e përdorur për llogarinë Netflix dhe televizorin e vilës, ndërsa Igli Tare, në emrin e të cilit figuron dokumentacioni, ka deklaruar se nuk ka qëndruar asnjëherë në pronë.

Pra, kontrata ishte në emrin e Tares, por vilën e përdorte Balluku, faturat i paguanin vartëset e saj, dokumentet qarkullonin nëpër zyrtarë publikë dhe shërbimet elektronike lidhen drejtpërdrejt me ish-zëvendëskryeministren.

Megjithatë, edhe pas sekuestrimit të vilës, mesazheve, dokumenteve, dëshmive dhe gjurmëve elektronike, SPAK nuk ka kërkuar një masë të re arresti ndaj Ballukut.

Më 12 mars 2026, mazhoranca socialiste përdori 82 vota në Kuvend për të bllokuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të saj. Atëherë, Edi Rama dhe deputetët socialistë u kthyen në mburojën politike të Ballukut.

Por tashmë dosja ka akuza të reja dhe prova të reja.

Çfarë pret SPAK?

A po pret që hetimi të zgjatet derisa provat të humbasin peshën, dëshmitarët të harrojnë dhe veprat penale t’i afrohen parashkrimit?

Pikërisht këtu hyn rasti i Igli Tares.

I marrë në pyetje për episodin e vilës dhe tenderin e Albcontrol, ai deklaroi se procedura datonte nga viti 2014 dhe se çështja ishte e parashkruar.

Deklarata e tij nxori në pah një problem shumë më të madh se vetë vila: hetimet që nisin ose marrin hov kur veprat penale kanë mbërritur pranë fundit të afatit të tyre ligjor.

Dosja vonohet, procedurat zgjaten, debati publik shuhet dhe në fund përgjegjësinë e merr kalendari.

E njëjta gjë ndodh vazhdimisht edhe me oligarkët.

Emrat e tyre dalin në përgjime, regjistrime, dëshmi, tendera, koncesione dhe komunikime me zyrtarë të lartë. Dalin pothuajse në çdo dosje të madhe dhe kanë gisht kudo, por rrallë përballen me një hetim të plotë për rolin dhe përfitimet e tyre.

Në disa raste nuk thirren fare.

Në raste të tjera paraqiten vetëm si persona që kanë dijeni.

Më pas emrat e tyre zhduken nga njoftimet e SPAK dhe nga mediat, derisa dalin në skandalin e radhës.

Politikanët firmosin, drejtorët zbatojnë dhe vartësit kryejnë pagesat, por përfituesit ekonomikë të skemave vazhdojnë të mbeten jashtë objektivit.

Sa herë dosja prek pushtetin dhe oligarkët, procedurat ngadalësohen, afatet zgjaten dhe përgjegjësia copëtohet në episode të vogla, derisa askush të mos përgjigjet për skemën e plotë.

Kjo është arsyeja pse deklarata e Klodian Brahos nuk mund të mbetet vetëm një slogan.

“Askush nuk është imun” duhet të provohet te dosja e Edi Ramës për “Albanian Files”.

Duhet të provohet te Belinda Balluku, ndaj së cilës tashmë ka akuza për korrupsion dhe pastrim parash.

Duhet të provohet te Igli Tare dhe te të gjithë personat që dyshohet se janë përdorur për fshehjen e pasurive.

Dhe duhet të provohet te oligarkët, që dalin në çdo skemë, por vazhdojnë të trajtohen sikur janë thjesht kalimtarë.

Opinioni publik nuk pret më deklarata, por rezultate.

Pret të dijë nëse dosja “Albanian Files” do të shkojë deri te Edi Rama apo do të zvarritet si shumë dosje të tjera.

Pret të dijë përse Belinda Balluku vazhdon pa masë arresti, pavarësisht akuzave dhe provave të reja.

Pret të dijë përse çështjet me qindra milionë euro reduktohen te episode dytësore dhe përse oligarkët që shfaqen kudo nuk kapen askund.

Nëse SPAK vazhdon me këtë ritëm, shumë shpejt mund të përfundojë duke “kapur” vetëm veten, për zvarritje procedurash, humbje afatesh dhe dështim për të hetuar në kohë korrupsionin e nivelit të lartë.

Deklarata se askush nuk është imun nuk provohet në komisionet parlamentare.

Provohet kur hetohet kryeministri.

Kur një ish-zëvendëskryeministre nuk mbrohet nga pushteti dhe vonesat.

Kur oligarkët nuk trajtohen më si spektatorë të skemave nga të cilat përfitojnë.

Dhe kur dosjet nuk mbahen hapur derisa të parashkruhen.

Përndryshe, “askush nuk është imun” do të mbetet vetëm një slogan, ndërsa kupola politike, qeveritare dhe ekonomike do të vazhdojë të jetë më e paprekshme se kurrë.