Skip to content
Kryesore

“Pretendonim një dënim më të lartë”, babai i Martin Canit reagon pas vendimit të Apelit që la në fuqi 16 vite burg për Mario Perlleshajn

· 2 min lexim

Babai i Martin Canit ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila la në fuqi dënimin me 16 vite burg për Mario Perlleshajn, të dënuar për vrasjen e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Në një prononcim për mediat, ai tha se familja e konsideron të pamjaftueshëm dënimin e dhënë dhe se kishte pritur një masë më të rëndë ndaj autorit.

“Kjo që na ka ndodhur ne mos t’i ndodhë askujt. Dhimbja jonë është shumë e madhe. Ligjet janë ligje, por ne pretendonim një dënim më të madh. Dënimi është për 2 vepra penale. Mund të dalë sot një i ri mund të vrasë 50 persona sot me një bombë, dhe dënohet 12 vite burg. Siç e dini dhe ju janë 2 rrethana cilësuese. Dhe shyqyr që s’ka pasur fëmijë të tjerë aty. Pretendonim për dënim më të lartë. Dhimbja jonë është e paimagjinueshme, shumë e madhe”, u shpreh ai.

Gjykata e Apelit vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke konfirmuar dënimin me 16 vite burg për Mario Perlleshajn.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024, kur gjatë një konflikti fizik pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, Mario Perlleshaj goditi me mjet prerës 14-vjeçarin Martin Cani, i cili humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.