Amnistia penale zbraz burgun e Fierit, lirohen 104 të dënuar dhe 210 të tjerë përfitojnë ulje dënimi

Zbatimi i ligjit nr. 57/2026 “Për dhënien e amnistisë” ka nisur edhe në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier, duke sjellë lirimin e 104 të dënuarve dhe uljen e dënimit për 210 të tjerë.
Komisioni i ngritur pranë IEVP Fier shqyrtoi dosjet e të gjithë të dënuarve me vendim të formës së prerë. Pas verifikimeve, u konstatua se 104 persona plotësonin kushtet për t’u liruar nga vuajtja e mëtejshme e dënimit, ndërsa rreth 210 të dënuar përfituan ulje me një vit të pjesës së mbetur të dënimit.
Mes të liruarve ka kryesisht persona të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të ulët dhe të mesme, por amnistia ka përfshirë edhe disa të dënuar me dënime të larta, të cilëve u kishte mbetur më pak se një vit burg. Ndër ta është Luan Fusha, i dënuar me 25 vite burg për vrasje me paramendim dhe i arrestuar në korrik të vitit 2008, si edhe Erild Gega, i dënuar me 14 vite burg për vjedhje me dhunë dhe i arrestuar në vitin 2014.
Nga amnistia kanë përfituar gjithashtu edhe dy shtetas të huaj, një shtetas pakistanez i dënuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe një shtetas rumun i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Po ashtu janë liruar edhe shtatë të dënuar mbi moshën 60 vjeç, të cilëve u kishte mbetur më pak se një vit për të vuajtur.
Mes përfituesve është edhe Gjergji Goga nga Tepelena, i dënuar me tre vite burg, i cili u lirua nga IEVP Fier falë amnistisë. Megjithatë, ai u shpreh se nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në burg, pasi sipas tij në Shqipëri është e vështirë të ndërtosh një jetë normale pa mbështetje dhe se kushtet e vështira ekonomike ishin arsyeja që e çuan drejt kriminalitetit.
Sipas autoriteteve, zbatimi i ligjit është kryer në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ndërsa përfituesit janë identifikuar vetëm pas shqyrtimit të dosjeve dhe verifikimit të kritereve të përcaktuara në ligjin për amnistinë.