Skip to content
Kryesore

Shqipëria po plaket me ritme të frikshme, KLSH: Qeveria pa strategji, bonusi i bebes dështoi

· 4 min lexim

Shqipëria po përballet me një krizë të thellë demografike, ndërsa shteti vazhdon të mos ketë një strategji të unifikuar për ta përballuar atë. Ky është përfundimi i auditimit më të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ngre alarmin se vendi po hyn në një fazë të avancuar të plakjes së popullsisë, me politika të fragmentuara dhe masa që nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme.

Sipas raportit të KLSH-së, Shqipëria nuk disponon një dokument të vetëm strategjik që trajton në mënyrë të integruar fenomenin e plakjes së popullsisë. Në vend të kësaj, çështja ndahet në strategji të ndryshme për punësimin, mbrojtjen sociale, shëndetësinë, rininë dhe migracionin, të cilat, sipas auditimit, nuk koordinohen me njëra tjetrën, shpesh bien në kundërshtim dhe nuk arrijnë të japin efektet e synuara.

Raporti vjen në një kohë kur treguesit demografikë të vendit vijojnë të përkeqësohen. Lindshmëria ka rënë me 72% që nga viti 1990, ndërsa mosha mesatare e popullsisë është rritur nga 32.6 vjeç në vitin 2011 në 44.3 vjeç në vitin 2025. Po ashtu, shtesa natyrore e popullsisë është tkurrur me 88.3% në vetëm një dekadë, duke zbritur nga 10.297 persona në vitin 2015 në vetëm 1.208 në vitin 2024. Në të njëjtën periudhë është dyfishuar edhe migracioni neto negativ.

KLSH ndalet veçanërisht te bonusi i bebes, skema kryesore e qeverisë për nxitjen e lindjeve. Auditi konstaton se kjo politikë “nuk ka pasur asnjë ndikim në ndryshimin e trendeve aktuale përsa i takon rritjes së numrit të lindjeve”. Madje, financimi i kësaj skeme është ulur, ndërsa gjatë vitit 2024 vendi regjistroi numrin më të ulët historik të lindjeve.

Raporti evidenton edhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet. Rreziku i varfërisë për familjet me fëmijë në ngarkim arrin në 24.8%, më shumë se dyfishi i nivelit prej 10.5% për familjet pa fëmijë. Sipas auditimit, politikat sociale nuk kanë arritur të ulin barrën financiare të rritjes së fëmijëve.

Ndërkohë, struktura e popullsisë po ndryshon me shpejtësi. Aktualisht 15.4% e banorëve janë mbi moshën 65 vjeç, ndërsa projeksionet tregojnë se kjo përqindje do të kalojë 25% deri në vitin 2050. Kjo pritet të rrisë ndjeshëm presionin mbi sistemin e pensioneve, shërbimet shëndetësore dhe mbrojtjen sociale, në një kohë kur popullsia në moshë pune vijon të tkurret.

Auditimi vëren gjithashtu se është rritur pjesëmarrja në tregun e punës e grupmoshave 55 deri në 64 vjeç dhe e personave mbi 65 vjeç. Kjo, sipas raportit, mund të interpretohet si përshtatje me realitetin e ri demografik, por edhe si pasojë e nevojës ekonomike të të moshuarve për të vazhduar punën, për shkak të pensioneve të ulëta.

Pabarazitë territoriale mbeten një tjetër problem. Rreth 60% e të moshuarve jetojnë në zonat rurale, ndërsa vetëm 38% përfitojnë shërbime sociale. Edhe pse programi “Përkujdesi Social” ka pasur rritje nominale të buxhetit deri në vitin 2024, planifikimi për vitin 2025 parashikon ulje të fondeve, pavarësisht shtimit të nevojave.

KLSH analizon edhe programin “Garancia Rinore”, i cili synon të mbajë të rinjtë në arsim ose punësim dhe të frenojë emigracionin. Sipas auditimit, rezultatet reale të programit nuk publikohen në portalin e dedikuar për të rinjtë, por vetëm në raporte dhe buletine statistikore të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Auditi vlerëson se kjo dobëson funksionin informues të portalit dhe ul transparencën ndaj grupit që programi synon të mbështesë.

Probleme janë evidentuar edhe në monitorimin e strategjive ekzistuese. KLSH konstaton se një pjesë e masave të planifikuara për vitin 2024 nuk janë zbatuar fare, ndërsa shumë tregues rezultojnë vetëm pjesërisht të realizuar. Raporti e lidh këtë situatë me mungesën e llogaridhënies institucionale, duke theksuar se disa institucione kanë vonuar pa asnjë justifikim dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar gjatë auditimit.

Një tjetër gjetje lidhet me të dhënat zyrtare mbi popullsinë. Censusi i vitit 2023 regjistron 2.402.113 banorë, ndërsa baza statistikore e INSTAT për të njëjtin vit raporton 2.761.785 banorë. Diferenca prej rreth 360 mijë personash, sipas KLSH-së, krijon pasiguri për planifikimin e politikave publike, pensioneve dhe shërbimeve sociale.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka kundërshtuar një pjesë të rekomandimeve të auditimit, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka deklaruar se gjetjet dhe konkluzionet e tij mbeten të pandryshuara.

Në përfundim, raporti thekson se sfida nuk është më të kuptohet nëse Shqipëria po plaket, pasi treguesit janë të qartë, por nëse institucionet do të ndërtojnë një strategji të vetme, të koordinuar, të financuar dhe të monitorueshme. Sipas KLSH-së, për sa kohë politikat mbeten të fragmentuara, të pazbatuara plotësisht dhe të pambështetura mbi të dhëna të besueshme, vendi rrezikon të mos përballet në mënyrë të qëndrueshme me një nga sfidat më të mëdha ekonomike dhe sociale të dekadave të ardhshme.