Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe ish-drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, është paraqitur këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas informacioneve, Tare është marrë zyrtarisht i pandehur nga prokurori Dritan Prençi për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, në kuadër të hetimit pasuror që po zhvillohet ndaj Belinda Ballukut.
Paraqitja e tij në SPAK vjen pasi më herët ishte thirrur dhe marrë në pyetje vëllai i tij, Agron Tare. Hetuesit kanë vlerësuar se dëshmia dhe roli i ish-futbollistit janë me rëndësi për zbardhjen e plotë të çështjes.
Sipas raportimeve, Igli Tare rezulton një nga personat që ka përfituar leje ndërtimi dhe projekte në sektorin e energjisë në bashkëpunim me kompani të lidhura me Belinda Ballukun. Emisioni investigativ “Plug” ka raportuar më herët se në periudhën kur Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Tare u rikthye në Shqipëri për të investuar në fushën e ndërtimit dhe energjisë.
Po sipas të njëjtave raportime, ai ka përfituar leje për ndërtim pallati dhe park fotovoltaik, ndërsa një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i publikuar nga emisioni investigativ, ka ngritur dyshime edhe për procedurat e dhënies së rreth 3.3 hektarëve tokë në zonën e Sheq Marinasit. Raporti pretendon se toka e dhënë nga Armando Subashi në favor të Igli Tares është përfituar në kundërshtim me ligjin.
Deri më tani SPAK nuk ka bërë publik një njoftim zyrtar mbi detajet e akuzës, ndërsa hetimet për dosjen në fjalë vijojnë. Ndërkohë, paraqitja e Igli Tares si i pandehur shënon një zhvillim të ri në hetimin që po zhvillohet për çështjen e njohur si dosja “Balluku”.







