Reperi Rigels Rajku, i njohur si Noizy, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, ku është pyetur lidhur me vendosjen e lëndës plasëse në pronat e tij në Durrës.
Në dëshminë e tij, Noizy tha se shpërthimi kishte ndodhur në pallatin ku qëndronte, ndërsa në katin e parë ndodheshin lokali dhe dyqani i tij. Ai tregoi se nga shpërthimi ishin shkaktuar dëme të mëdha materiale, përfshirë xhama të thyer, hyrje të shkatërruar dhe një gropë në tokë nga sasia e tritolit.
Sipas reperit, dyshimet e para i kishte lidhur me konfliktin e ndodhur një natë më parë me Kleviol Ahmetin, i njohur si Cllevio. Noizy tha se përplasja mes tyre kishte ardhur pas fyerjeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme në rrjetet sociale që, sipas tij, kishin nisur që prej vitit 2019.
“Kam dijeni për vendosjen e lëndës plasëse në Durrës. Kam qenë në të njëjtin pallat ku u vendos eksplozivi, kam pasur dritaren hapur. Kam qenë në gjumë, dëgjova shpërthimin dhe më doli gjumi, kuptova që diçka ndodhi. Zbrita poshtë dhe kuptova që ishte vendosur një eksploziv. Më doli gjumi, zbrita poshtë, ishte babai im poshtë, motra po ashtu mund të ketë ardhur, mamin e mbaj mend. Tritoli u vendos në katin e parë të pallatit ku qëndroja. Prindërit jetojnë në të njëjtin pallat, por në një kat më sipër. Kur zbrita, ngjarja kishte ndodhur rreth orës 03:00-04:00, unë u zgjova në orën 09:00. Ishin shkatërruar xhamat e lokalit dhe të dyqanit poshtë. Kam një firmë rrobash dhe një lokal, të dy pronat janë të miat. Pashë komshinjtë, polici pa fund dhe kishte plasur një tritol. Hyrja ishte komplet e shkatërruar, edhe në kat të parë edhe në kat të dytë. Ishte shkaktuar një gropë e madhe në tokë nga sasia e tritolit. Ishte thyer mermeri komplet.
Një hamendësim e kisha se kush e kishte bërë. Më ndodhi një problem një natë përpara te një tjetër lokal që kam në Durrës, me një person që është i fiksuar, sjelljet e një fansi të fiksuar… Po nuk i dhe vëmendje bëhet agresiv dhe sjell problemin deri te shtëpia. Kur shan dhe kërcënon në rrjetet sociale, ai të vjen edhe deri te shtëpia.
Kleviol Ahmeti është personi. Sharjet që nga 2019 nuk janë ndalur asnjëherë. Njohje me Kleviolin nuk kam pasur asnjëherë, as bashkëpunime. Është i fiksuar me mua, kërkon me çdo kusht vëmendjen time. Do të bëhet shok me mua, ndërkohë që unë s’dua të bëhem shok me të. Nuk ta shpjegoj dot nivelin e fiksimit të atij me mua. Nuk e di a e njihni, por del në TikTok dhe shan të gjithë botën. Ai e ka kuptuar që merr vëmendje kur përmendet “Noizy” dhe nuk e ka ndalur asnjëherë këtë gjë. Është i çmendur pas meje.
Më erdhi në lokal një ditë përpara shpërthimit për t’u sqaruar demek, vjen me 20 veta. Fjala e parë që thotë është: “Ku është ai legeni?”. Futet brenda, dalim jashtë dhe pastaj ndodh një konflikt fizik te shkallët e lokalit. Të nesërmen ndodhi tritoli.
E kam takuar më përpara, ka ardhur me një shokun e vet për t’u sqaruar kur unë isha me familjarët e mi. Kur dolëm nga lokali filloi prapë avazin duke më sharë. I thotë vetes artist, ka bërë disa këngë. Ai bën shumë gjëra, por nuk bën asgjë.
Ishte live në TikTok gjatë gjithë kohës, tregonte armë në video, e dija që po vinte. Nuk njihja askënd nga ata që shoqërohej Klevioli. Erdhën me makina, me 5 të tilla. U largua me makinë pastaj, ishte pasagjer.
Prezenca e tij në pronën time duke më ofenduar mua, sharjet, u bënë shkak për nxitjen e konfliktit. Erdhi brenda dhe më tha: “Do të q*roj, o pederast”. Kur erdhi në pronën time, unë e godita i pari, konflikti ndodhi disa sekonda.
Pas kësaj ngjarjeje, ai më dogji edhe një automjet. Ai e ka gjyqin akoma hapur dhe nuk e di si ka dalë nga burgu. Iku në Dubai, pagoi disa çuna nga Vlora dhe ma dogjën makinën. Nga ana ime nuk ka situatë konfliktuale, nga ana e tij po.
Për Laert Haxhiun nuk kam dëgjuar ndonjëherë. E dëgjova emrin e tij më mbrapa, para 3 vitesh. E dëgjova kur u bë publik rasti im”, u shpreh Noizy.








