Skip to content
Kryesore

“Pas Shkolle” kthehet në detyrim: Nuk regjistrohesh, mësimin e bën pasdite! Prindërit kundër vendimit: “Fëmijët po diskriminohen”

· 3 min lexim

Programi “Pas Shkolle”, i prezantuar si një mundësi shtesë për nxënësit dhe familjet, po krijon përplasje me prindërit ende pa nisur viti i ri shkollor. Në shkollën 9-vjeçare “Hasan Prishtina” në Tiranë, mungesa e hapësirave ka bërë që organizimi i programit të ndikojë drejtpërdrejt edhe në orarin e mësimit të rregullt.

Drejtoria e shkollës ka njoftuar prindërit se nxënësit e klasave III, IV dhe V që nuk janë regjistruar në programin “Pas Shkolle” do ta zhvillojnë mësimin në turnin e dytë, me fillim në orën 13:30.

“Nxënësit e klasave III, IV dhe V që nuk janë të regjistruar në programin “Pas Shkolle” do të zhvillojnë mësimin në turnin e dytë (duke nisur nga ora 13:30). Kushtet dhe infrastruktura aktuale e shkollës nuk mundësojnë që i gjithë procesi mësimor të zhvillohet vetëm në turnin e parë”, thuhet në njoftimin e shkollës.

Pra, problemi nuk lidhet me vetë përmbajtjen e programit, por me mënyrën se si po zbatohet në kushtet aktuale të shkollës. Hapësirat e pamjaftueshme kanë sjellë një ndarje të nxënësve sipas pjesëmarrjes ose jo në “Pas Shkolle”, duke i kaluar në orarin e pasdites ata që nuk regjistrohen.

Kjo situatë ka shkaktuar kundërshtimin e prindërve, të cilët i janë drejtuar zyrtarisht shkollës dhe e konsiderojnë këtë organizim diskriminues. Sipas tyre, pjesëmarrja në një program jashtë mësimit të rregullt nuk duhet të kthehet në kriter që përcakton nëse një fëmijë zhvillon mësim paradite apo pasdite.

Shqetësimet e ngritura lidhen edhe me pasojat praktike për familjet. Prindërit argumentojnë se përfundimi i mësimit në orare më të vona krijon probleme me kthimin e fëmijëve në shtëpi, veçanërisht gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit. Po ashtu, prindërit që janë në punë mund të mos kenë mundësi t’i shoqërojnë, ndërsa ndryshimi i orarit redukton kohën që nxënësve u mbetet për detyrat, aktivitetet sportive dhe pushimin.

Për këtë arsye, prindërit kanë kërkuar pezullimin e vendimit dhe sqarime të plota mbi mënyrën se si është organizuar programi në shkollë. Ata kërkojnë gjithashtu një takim urgjent me drejtuesit, për të gjetur një zgjidhje përpara nisjes së vitit shkollor, pa i vendosur nxënësit që nuk marrin pjesë në “Pas Shkolle” në një orar më të pafavorshëm.

Situata në “Hasan Prishtina” nxjerr në pah një problem që lidhet me kapacitetet infrastrukturore për zbatimin e nismës. Një program i konceptuar për t’u dhënë nxënësve më shumë mundësi pas përfundimit të mësimit po shoqërohet, në këtë rast, me ndryshimin e vetë orarit të mësimit për një pjesë të fëmijëve.

“Pas Shkolle” parashikohet të zbatohet këtë vit në 408 shkolla në të gjithë vendin. Programi përfshin ndihmë për detyrat e shtëpisë dhe aktivitete të ndryshme në muzikë, teatër, kërcim, zeje, arte pamore dhe sport. Rasti i shkollës “Hasan Prishtina”, megjithatë, ngre pikëpyetjen nëse të gjitha shkollat ku do të shtrihet nisma kanë hapësirat e nevojshme për ta zhvilluar atë pa cenuar organizimin e mësimit të rregullt.