Gjykata e Athinës ka dënuar me burgim të përjetshëm shqiptarin Kastriot Cenko, i shpallur fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alba Cenko, 32 vjeçe dhe nënë e dy fëmijëve. Përveç dënimit të përjetshëm, ai mori edhe 2 vite e 6 muaj burg për armëmbajtje dhe përdorim të armëve, ndërsa gjykata nuk i njohu asnjë rrethanë lehtësuese.
Vendimi u mor me shumicë votash, ku gjashtë anëtarë të trupës gjykuese votuan për dënimin maksimal, ndërsa njëri prej tyre shprehu mendimin se krimi mund të ishte kryer në gjendje tronditjeje emocionale. Megjithatë, ky argument nuk u pranua nga pjesa tjetër e jurisë.
Sipas dosjes, Kastriot Cenko e goditi bashkëshorten me çekiç, i mbështolli një kabllo karikuesi rreth qafës dhe më pas fshehu trupin e saj për një javë. Fillimisht ai e mbajti trupin në një dollap të banesës dhe më vonë e zhvendosi në papafingon e shtëpisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 nëntor 2024 në zonën e Ampelokipit në Athinë. Në momentin e krimit, dy fëmijët e mitur të çiftit ndodheshin në shtëpi dhe po flinin.
Hetimet zbuluan se autori dyshonte se gruaja e tradhtonte me një person të njohur për të, por gjatë gjykimit ai e mohoi këtë motiv, duke pretenduar se nuk kishin probleme të tilla në marrëdhënie. Sipas dëshmisë së tij, ai kishte frikë nga ndarja dhe humbja e kujdestarisë së dy fëmijëve.
Krimi u zbulua vetëm pasi vetë autori kontaktoi policinë rreth një javë më vonë. Gjatë kësaj kohe, sipas dëshmisë së nënës së viktimës, ai kishte mashtruar familjarët e Alba Cenkos duke u dërguar mesazhe nga telefoni i saj celular, për t’i bindur se ajo ishte mirë dhe nuk kishte asgjë shqetësuese. Kjo dëshmi u konsiderua një nga elementët që rëndoi më tej pozitën e tij gjatë procesit gjyqësor.







