Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm shtetasin portugez Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj, i vrarë më 19 prill 2023 në Shëngjin. Vendimi u shpall pas një procesi gjyqësor të zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, ku të pranishëm ishin edhe familjarë të viktimës.
Sipas vendimit të gjykatës, Saraiva u shpall fajtor për vrasjen e Nikulajt, një ngjarje që tronditi opinionin publik. Prokuroria e Lezhës kishte kërkuar më 3 mars dënimin maksimal për të pandehurin, ndërsa gjatë gjithë procesit gjyqësor, Saraiva ka mohuar çdo përfshirje në krim.
Në dosjen hetimore, ai akuzohet për veprat penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ngjarja ndodhi brenda hotelit “Coral”, në pronësi të Nikulajt, ku biznesmeni u qëllua për vdekje nga autori, i cili mbante një skafandër në kokë.
Sipas Prokurorisë, vrasja dyshohet se është porositur nga Edmond Haxhia, i cili jeton në Britaninë e Madhe, për motive gjakmarrjeje. Në këtë ngjarje janë përfshirë edhe katër shtetas britanikë, të cilët dyshohet se kanë pasur rol ndihmës si vëzhgues.
Hetimet tregojnë se Saraiva kishte mbërritur në Shqipëri më 14 shkurt 2023 dhe kishte qëndruar në zonën e Lezhës si turist. Ndërkohë, disa ditë para vrasjes, në vend mbërritën edhe shtetasit britanikë Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simpson, të cilët dyshohet se kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt.
Një prej tyre, Stiven Hunt, ka qëndruar për disa ditë në hotelin “Coral”, ku sipas hetimeve ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë, duke i dhënë grupit mundësi të vëzhgonte në kohë reale lëvizjet e biznesmenit.
Pas vrasjes, Saraiva u largua drejt Greqisë dhe më pas në Marok, ku u arrestua 19 ditë më vonë në Rabat. Ai u ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor 2023.
Sipas autoriteteve, kjo vrasje konsiderohet pjesë e një zinxhiri hakmarrjeje mes familjes Nikulaj dhe fisit Lekstakaj, konflikt që daton që prej vitit 1997 dhe ka sjellë disa viktima ndër vite.
Gjykata londineze ka miratuar në gusht 2024 ekstradimin e shtetasve britanikë të përfshirë në këtë çështje, ndërsa pritet vendimi përfundimtar i Apelit.
Paralelisht, është bërë publik edhe profili i Ruben Saraivës, i cili rezulton të ketë jetuar në Londër dhe të ketë pasur probleme të mëparshme me drejtësinë. Ai ka punuar si asistent-trajner futbolli, por më pas është përfshirë në veprimtari kriminale, duke u dënuar për trafik droge dhe përdorim dhune.

Në një deklaratë para gjykatës, Saraiva ngriti shqetësime për kushtet e paraburgimit pas ekstradimit nga Maroku. Ai deklaroi:
“I nderuar trup gjykues. Ju kërkoj të dëgjoni jo vetëm faktet e çështjes, por edhe zërin e një njeriu që ka jetuar në heshtje të plotë për mbi dy vjet brenda mureve të këtij shteti. Autoritetet e burgut kanë zbatuar ndaj meje një protokoll të veçantë i cili ka nënkuptuar. Izolim të plotë nga çdo i paraburgosur tjetër. Ndalim të ajrimit të përbashkët me persona të tjerë apo aktivitete të përbashkët brenda burgut.
Ndalim të çdo kontakti me botën e jashtme, duke përfshirë familjen time dhe konsullatën e Portugalisë. Nuk kam mundur të kontribuoj në mbrojtjen time në mënyrën që ligji ma garanton. Kjo nuk është ankesë e thjeshtë për kushte jetese, është shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtës sime për gjykim të drejtë”.
Pas marrjes së formës së prerë të vendimit, mbrojtja ligjore e Saraivës pritet të nisë procedurat për transferimin e tij në një burg në Angli ose Portugali, për të vijuar vuajtjen e dënimit.








